Presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë si presidentit amerikan Donald Trump ashtu edhe zyrtarëve iranianë se mbështet një marrëveshje bërthamore në të cilën Irani nuk do të lejohet të pasurojë uranin, thanë burime të njohura me këto bisedime për Axios.
Për vite me radhë, Rusia ka qenë mbështetësja kryesore diplomatike e Iranit në çështjen e programit bërthamor. Por, ndërsa Moska publikisht mbron të drejtën e Iranit për pasurim urani, Putin ka qëndrim privat më të ashpër pas luftës 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit.
Moska i ka inkurajuar iranianët të pranojnë “pasurimin zero”, sipas tre zyrtarëve evropianë dhe një zyrtari izraelit të njohur me këtë çështje.
Dy burime thanë se rusët kanë informuar gjithashtu qeverinë izraelite për qëndrimin e Putinit mbi pasurimin e uranit iranian.
“E dimë se kjo është ajo që Putin i ka thënë iranianëve,” tha një zyrtar i lartë izraelit.
Putin ka shprehur të njëjtin qëndrim në bisedimet e javës së kaluar me Trumpin dhe presidentin francez Emmanuel Macron.
Trumpi i ka bërë të qartë dëshirën për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin. Nëse bisedimet zhvillohen në javët e ardhshme, “pasurimi zero” i uranit në territorin iranian do të jetë një prej kërkesave kryesore amerikane, thanë burimet.
Irani prej kohësh insiston se duhet të mbajë kapacitetin për pasurim në kuadër të çdo marrëveshjeje.
Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë disa herë gjatë javëve të fundit i kanë shprehur mbështetje iranianëve për marrëveshjen e “pasurimit zero”, thanë burimet.
“Putini do ta mbështeste ‘pasurimin zero’. Ai i ka nxitur iranianët të punojnë në këtë drejtim për t’i bërë bisedimet me amerikanët më të favorshme. Por iranianët thanë se nuk do ta shqyrtojnë fare,” tha një zyrtar evropian i njohur drejtpërdrejt me këtë çështje.
Qëndrimi i Putinit është veçanërisht i rëndësishëm duke pasur parasysh mbështetjen e gjerë që Irani i ka dhënë Rusisë gjatë luftës në Ukrainë, përfshirë dërgimin e qindra dronëve sulmues dhe raketave tokë–tokë.
Gjatë dhe pas luftës 12-ditore, iranianët u zhgënjyen që rusët nuk u dhanë ndonjë mbështetje më të madhe përveç deklaratave publike.
Rusët, publikisht dhe në takime private, kanë bërë të ditur se, nëse arrihet një marrëveshje, ata do të ishin të gatshëm të largonin uranin iranian të pasuruar në nivele të larta.
Rusia ka deklaruar se më pas do t’i furnizojë Iranit uran të pasuruar 3.67% për energji bërthamore dhe sasi të vogla urani të pasuruar 20% për reaktorin kërkimor të Teheranit dhe prodhimin e izotopeve bërthamore, thanë burimet.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, ka biseduar me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, për rifillimin e bisedimeve bërthamore.
Një nga planet ishte një takim në Oslo në ditët në vijim, por burimet thanë se si iranianët ashtu edhe Witkoff janë të ftohur ndaj kësaj ideje dhe po kërkojnë një vend tjetër.