Thaçit dhe të tjerëve u hiqen kufizimet për vizita

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka marrë vendim që të mos vendos masa kufizuese lidhur me vizitat private të të akuzuarve.

Në vendimin e datës 9 shkurt 2024, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ia ka rikujtuar të akuzuarve, në veçanti Thaçit dhe Selimit për detyrimin që kanë për të mos iu zbuluar personave të tretë informacione konfidenciale.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: ua kujton të akuzuarve, në veçanti, Thaҫit dhe Selimit, për detyrimin e tyre për të mos ua zbuluar palëve të treta të paautorizuara asnjë informacion konfidencial dhe/ose informacion që mund të çojë në identifikimin e dëshmitarëve të mbrojtur; urdhëron sekretarin që t’u kujtojë vizitorëve në objektet e paraburgimit se ata nuk duhet të diskutojnë ose të marrin pjesë në diskutimet e informacioneve konfidenciale që kanë të bëjnë me procedurat në KSK me një të paraburgosur, duke përfshirë informacionin që ka të bëjë me identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur”, thuhet në vendim

Veç tjerash, nëpërmjet këtij vendimi, urdhërohen avokatët kryesor të të gjithë të akuzuarve që të iu kujtojnë anëtarëve të tyre të ekipit detyrimet që kanë në lidhje me informacionet konfidenciale.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Paneli refuzoi që të vendoste ndonjë masë kufizuese lidhur me vizitat private. Andaj, ka vlerësuar se nuk ka indikacione që këto vizita të jenë përdorur për qëllime tjera.

Ndërsa, lidhur me kërkesën e ZPS-së që të gjitha vizitat private të Thaçit dhe Selimit të monitorohen, Paneli ka theksuar se ato janë të rëndësishme sa i takon të drejtave të akuzuarve si dhe nuk ka bazë për të vendosur masa kufizuese ndaj tyre.

Kategoritë
LajmeVendi