Tejeci: Parku i Inovacionit në Prizren nuk po e përmbush funksionin ekonomik të pritur

Kryetari i Odës së Ndërmarrësve dhe Zejtarëve të Prizrenit, Afrim Tejeci, ka vlerësuar se Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, i promovuar që nga viti 2018 si një projekt strategjik për zhvillim ekonomik, ende nuk po e përmbush qëllimin për të cilin është ndërtuar.

Sipas tij, ky park prej rreth 40 hektarësh ishte prezantuar si hapësirë e dedikuar për biznese prodhuese, kompani inovative, trajnime profesionale dhe nxitje të investimeve në ekonomi lokale, me synim krijimin e vendeve të reja të punës.

Megjithatë, Tejeci thotë se një pjesë e konsiderueshme e hapësirës mbetet e pashfrytëzuar, ndërsa në disa pjesë janë vendosur organizata joqeveritare dhe subjekte me numër të kufizuar të punësuarve, të cilat sipas tij nuk sjellin ndikimin ekonomik të pritshëm për qytetin dhe komunitetin e biznesit.

Ai thekson se koncepti fillestar i zonës ka paraparë përfshirjen e sektorëve me potencial të lartë zhvillimi dhe orientim drejt krijimit të vendeve të punës.

Në këtë drejtim, komuniteti i biznesit kërkon vendosjen e kritereve më të qarta për shfrytëzimin e hapësirave, duke përfshirë prioritet për bizneset prodhuese dhe investitorët seriozë, hapjen e fabrikave dhe objekteve që gjenerojnë punësim, si dhe transparencë në procesin e përzgjedhjes së përfituesve.

Sipas tyre, Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve duhet të fokusohet më shumë në zhvillimin ekonomik afatgjatë të Prizrenit dhe në mbështetjen e bizneseve që krijojnë vende pune dhe ndikim real në ekonominë lokale.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi