Teherani tërheq vijën e kuqe: Paralajmërim për Trumpin para negociatave – “Të gjitha bazat tuaja janë në shënjestër tonë”

Nëse dështojnë negociatat për programin bërthamor dhe ndodh një konflikt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Irani do të sulmojë bazat amerikane në rajon – deklaroi të mërkurën ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, vetëm disa ditë para raundit të gjashtë të planifikuar të negociatave bërthamore ndërmjet Iranit dhe SHBA-së.

“Disa zyrtarë nga pala tjetër po kërcënojnë me konflikt në rast se dështojnë negociatat. Nëse na imponohet një përballje, të gjitha bazat amerikane janë në rrezet tona të goditjes dhe do t’i sulmojmë me guxim, edhe brenda vendeve pritëse,” deklaroi Nasirzadeh në një konferencë për media.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar disa herë Iranin me bombardime nëse nuk arrihet një marrëveshje e re bërthamore.

Raundi i ardhshëm i negociatave është caktuar për këtë javë. Trump ka njoftuar se do të mbahet të enjten, ndërsa Teherani pretendon se bisedimet do të zhvillohen të dielën në Oman.

Pritet që Irani të paraqesë një kundër-propozim për ofertën amerikane të marrëveshjes bërthamore, të cilën më herët e kishte refuzuar. Trump reagoi të martën duke thënë se Irani po bëhet “shumë më agresiv” në qasjen ndaj negociatave.

Nasirzadeh shtoi gjithashtu se Teherani kohët e fundit ka testuar një raketë me një koka luftarake prej dy tonësh dhe se nuk pranon asnjë kufizim në zhvillimin e saj. Udhëheqësi suprem, ajatollah Ali Khamenei, kishte deklaruar në shkurt se Irani duhet të zhvillojë më tej fuqinë e tij ushtarake, përfshirë edhe programin raketor.

Kategoritë
BotaLajme