Të shtëna me armë në Suedi pranë një xhamie, dy persona të plagosur: Reagoi Bashkësia Islame e Boshnjakëve

Dy persona u plagosën sot gjatë një të shtëne pranë një xhamie në qytetin suedez të Örebro-s, dhe rasti po hetohet aktualisht si tentativë vrasjeje.

Të dy personat ndodhen në spital, ndërsa shkalla e lëndimeve të tyre ende nuk dihet.

Sipas SVT News, duke cituar dëshmitarë okularë, një nga viktimat u qëllua ndërsa po dilte nga xhamia.
Në vendin e ngjarjes po zhvillohet një operacion i madh policor dhe aty ndodhen disa ekipe shpëtimi, policë dhe shtatë ambulanca.

Gjithashtu ka filluar një hetim paraprak për tentativë vrasjeje, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të shmangin zonën.

Ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Boshnjakëve në Suedi, konkretisht xhemati i Örebro-s, duke theksuar se incidenti ka ndodhur në xhaminë Vivalla, dhe jo në xhaminë e tyre.

“Ambientet e qendrës sonë do të mbyllen për arsye sigurie derisa të marrim më shumë informacione mbi ngjarjen dhe vlerësimin e rrezikut”, thuhet në njoftim.

Kategoritë
BotaLajme