Tanket e ushtrisë izraelite e vazhduan lëvizjen në zonat jugore dhe lindore të qytetit Deir al-Balah të Rripit të Gazës për herë të parë të hënën.
Burimet izraelite thanë se ushtria beson se në atë zonë ndodhen disa nga pengjet e mbetura që po mbahen nga Hamasi, shkruan gazeta “The Guardian”, duke e cituar agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Mjekët në Gaza thanë se të paktën tre palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga predhat e tankeve që goditën tetë shtëpi dhe tri xhami në atë zonë. Sulmi erdhi një ditë pasi ushtria izraelite i urdhëroi banorët që të largoheshin, duke thënë se planifikonte që të luftonte kundër militantëve të Hamasit.
Aksioni i forcave tokësore dhe bombardimet detyruan dhjetëra familje që kishin mbetur që të largoheshin dhe të niseshin në perëndim drejt zonës bregdetare të Deir al-Balahut dhe qytetit Khan Younis.
Në Khan Younis, më herët të hënën, një sulm ajror izraelit la të vrarë të paktën pesë persona, përfshirë një burrë, bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët e tyre në një tendë, thanë mjekët.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli për incidentet në Deir al-Balah dhe Khan Younis.
Ushtria izraelite tha se nuk kishte hyrë në distriktet e qytetit Deir al-Balah që janë subjekt i urdhrit për evakuim gjatë konfliktit aktual dhe se ishte duke vazhduar që të “operonte me forcë të madhe për t’i shkatërruar kapacitetet e armikut dhe infrastrukturën terroriste në zonë”.
Burimet izraelite thanë se arsyeja pse ushtria ka qëndruar deri më tani jashtë zonës është dyshimi se Hamasi mund të jetë duke mbajtur pengje aty.
Familjet e pengjeve e shprehën shqetësimin për të afërmit dhe kërkuan një shpjegim nga ushtria për të treguar se si do t’i mbronte ato.