Sulmet e vazhdueshme izraelite në Gaza kanë shkatërruar sportet palestineze, pasi atletë, trajnerë dhe gjyqtarë janë vrarë si dhe të gjitha objektet sportive janë bombarduar ose janë djegur
Të paktën 800 atletë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i ofensivës së Izraelit më 7 tetor të vitit 2023 derisa komuniteti sportiv vazhdon të vuajë nga bombardimet, uria dhe shkatërrimi i infrastrukturës, transmeton Anadolu.
Shoqata Palestineze e Futbollit (PFA) tha se 421 lojtarë futbolli ishin midis 808 atletëve të vrarë në Gaza gjatë 22 muajve të fundit, pothuajse gjysma e tyre fëmijë.
Viktima e fundit ishte ish-futbollisti i ekipit kombëtar palestinez, Suleiman al-Obaid, i cili u vra dje teksa priste për ndihmë humanitare. 41-vjeçari Al-Obaid, i lindur në Gaza dhe baba i pesë fëmijëve, konsiderohej si një nga yjet më të ndritshëm në historinë e futbollit palestinez. Ai luajti 24 ndeshje zyrtare për ekipin kombëtar dhe shënoi dy gola.
Që nga tetori i vitit 2023, sipas PFA-së, numri i futbollistëve të vrarë ose që vdiqën nga uria ka arritur në 421, përfshirë 103 fëmijë. Që atëherë, si pasojë e sulmeve izraelite në Gaza janë vrarë mbi 61.200 palestinezë. Numri i viktimave, sipas autoriteteve, përfshin ata që u vranë në sulmet ajrore, sulmet tokësore dhe të paktën 193 që vdiqën nga uria për shkak të bllokadës izraelite.
Sulmet e vazhdueshme izraelite, tani në vitin e dytë të gjenocidit në Gaza, kanë shkatërruar sportet palestineze, pasi atletë, trajnerë dhe gjyqtarë janë vrarë, si dhe të gjitha objektet sportive janë bombarduar, djegur ose janë ripërdorur si varre masive.
Rreth 90 për qind e infrastrukturës sportive në Gaza thuhet se është shkatërruar. PFA-ja tha se 288 objekte sportive janë shkatërruar pjesërisht ose plotësisht nga forcat izraelite në të gjithë Gazën dhe Bregun Perëndimor, përfshirë stadiume, palestra dhe klube futbolli. Midis tyre ishin selia e PFA-së, e goditur nga sulmet ajrore izraelite.
Nga objektet e shkatërruara, 268 ishin në Gaza ndërsa 20 ishin në Bregun Perëndimor. Gjysma e tyre i shërbyen drejtpërdrejtë futbollit palestinez. Krahas sulmeve, uria dhe kequshqyerja janë intensifikuar në të gjithë Gazën, duke e çuar në një kolaps pothuajse total të jetës atletike.
OKB-ja dhe grupet humanitare kanë paralajmëruar për uri masive, teksa bllokada e Izraelit vazhdon të ndërpresë ndihmën, furnizimet me karburant dhe ushqim për popullsinë e Gazës. Banorët e Gazës, përfshirë atletët, po braktisin gjithnjë e më shumë aktivitetet sportive teksa përpiqen të mbijetojnë mes bombardimeve, zhvendosjes dhe rrezikut në rritje të urisë.