Të paktën 30 palestinezë që po prisnin ndihma humanitare në veri të Gazës u vranë të mërkurën në sulmet e ushtrisë izraelite ndaj civilëve të mbledhur.
Zëdhënësi i mbrojtjes civile të Gazës, Mahmud Bassal, tha se të paktën 30 persona humbën jetën, ndërsa mbi 300 u plagosën në sulmet izraelite.
Ushtria izraelite justifikon sulmet e përditshme ndaj qendrave ku shpërndahen ndihmat me pretendime për tregti të paligjshme dhe vjedhje ndihmash nga ana e Hamasit, por pala izraelite nuk ka paraqitur prova për këto akuza.
Agjencia humanitare e OKB-së, OCHA, njoftoi se katër ditë pas fillimit të “pushimeve taktike” izraelite, njerëzit vazhdojnë të vdesin nga uria dhe kequshqyerja, dhe ka viktima edhe midis atyre që kërkojnë ndihmë.
Nga ana tjetër, Mohammed Abu Salmiya, drejtor i spitalit Al-Shifa në Gaza, tha për mediat arabe se në institucionin e tij u dorëzuan 35 të plagosur pas se ushtria izraelite hapi zjarr rreth tre kilometra në jugperëndim të pikës kufitare Zikim.
Në mes të krizës humanitare dhe bllokimit të bisedimeve për armëpushim, përfaqësuesi special amerikan Steve Witkoff pritet të mbërrijë të enjten në Izrael.
Witkoff ishte përfshirë në bisedimet indirekte për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, të cilat u ndërprenë javën e kaluar kur Izraeli dhe SHBA tërhoqën delegacionet e tyre nga Doha.
Vizita e tij vjen pasi Kanadaja, duke ndjekur shembullin e Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, njoftoi planet për njohjen e Shtetit të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator.