Sipas të dhënave të Zyrës së Kombeve të Bashkuara (OKB) nga 27 maji deri më 7 korrik, ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 800 palestinezë që prisnin në radhë për ndihma humanitare në Rripin e Gazës. Zëdhënësja e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, njoftoi se gjatë periudhës 27 maj–7 korrik janë regjistruar 798 vrasje, përfshirë 615 pranë vendeve të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar për Gazën.
Këto sulme nga ushtria izraelite janë regjistruar më së shumti në pjesën jugore të Rripit të Gazës, pranë kampeve në Khan Younis, ku shumë palestinezë u lënduan ose u vranë teksa afroheshin për të marrë ndihmat që ushtaria izraelite kishte caktuar për shpërndarje.
Ushtria izraelite i ka komentuar këto të dhëna me një deklaratë, duke thënë se trupave në terren u janë dhënë udhëzime dhe urdhra të rrepta që parandalojnë përdorimin e pavarur të forcës.
“Pas incidenteve ku raportohej dëmtim i civilëve që ishin drejtuar në objektet e shpërndarjes, janë kryer hetime të thella, dhe forcat në terren kanë marrë udhëzime pas mësimeve të nxjerra,” thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Nga ana tjetër, që prej fillimit të fazës më të fundit të agresionit izraelit në Rripin e Gazës, nuk është raportuar asnjë rast i ndërmarrjes së procedurave disiplinore kundër ushtarakëve, oficerëve apo nënoficerëve të ushtrisë izraelite të cilët dyshohen për krime lufte.