Numri i infeksioneve seksualisht të transmetueshme në të gjithë Evropën ka arritur nivele rekord, tregojnë të dhënat më të fundit të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), ndërsa rritja më e madhe është regjistruar te gonorrea dhe sifilizi.
Sipas të dhënave për vitin 2024, numri i rasteve me gonorre ka arritur në 106.331, që paraqet një rritje prej 303 për qind krahasuar me vitin 2015. Në të njëjtën kohë, numri i rasteve të raportuara me sifiliz është më shumë se dyfishuar dhe ka arritur në 45.557 raste.
Nga ECDC paralajmërojnë se “boshllëqet gjithnjë e më të mëdha në testim dhe parandalim” janë ndër arsyet kryesore të përhapjes së shpejtë të këtyre infeksioneve dhe u kanë bërë thirrje vendeve evropiane për veprim urgjent.
“ këto infeksione mund të shkaktojnë komplikime serioze si dhimbje kronike dhe infertilitet, ndërsa sifilizi mund të çojë edhe në probleme me zemrën ose sistemin nervor”, deklaroi për BBC Bruno Ciancio, drejtor i departamentit për sëmundje të transmetueshme dhe sëmundje të parandalueshme me vaksina pranë ECDC.
Shqetësim të veçantë ka shkaktuar edhe rritja e rasteve të sifilizit kongjenital, pra infeksioneve që transmetohen nga nëna te i porsalinduri.
“Numri i këtyre rasteve pothuajse është dyfishuar ndërmjet viteve 2023 dhe 2024, gjë që mund të shkaktojë komplikime gjatë gjithë jetës tek fëmijët”, paralajmëroi Ciancio.
Ai shtoi se mbrojtja e shëndetit seksual mbetet e thjeshtë:
“Përdorni prezervativ me partnerë të rinj ose me më shumë partnerë dhe testohuni nëse keni simptoma.”
Numri më i madh i rasteve të konfirmuara të gonorresë dhe sifilizit ndër vendet evropiane pjesëmarrëse në hulumtim është regjistruar në Spanjë, ku janë evidentuar 37.169 raste të gonorresë dhe 11.556 raste të sifilizit.
ECDC thekson se meshkujt që kanë marrëdhënie seksuale me meshkuj vazhdojnë të jenë grupi më i prekur nga këto infeksione, me rritjen më të theksuar afatgjatë të rasteve.
Gjithashtu, është vërejtur rritje e konsiderueshme e sifilizit edhe te gratë heteroseksuale në moshë riprodhuese.
Edhe pse klamidia mbetet infeksioni bakterial seksualisht i transmetueshëm më i raportuar në Evropë, numri i rasteve është ulur me 6 për qind krahasuar me vitin 2015 dhe në vitin 2024 janë regjistruar 213.443 raste.
Britania e Madhe nuk është përfshirë në këtë studim pas Brexit-it, por autoritetet britanike publikojnë statistika të veçanta për Anglinë.
Sipas raportit të Agjencisë për Siguri Shëndetësore të Britanisë së Madhe, gjatë vitit 2024 në Angli janë regjistruar 71.802 raste të gonorresë, 9.535 raste të sifilizit dhe 168.889 raste të klamidisë.
Britania e Madhe në vitin 2025 filloi përdorimin e vaksinës së parë në botë kundër gonorresë, pasi në vitin 2023 ishte regjistruar numër rekord prej 85.000 rasteve.
Simptomat e gonorresë përfshijnë:
- dhimbje,
- sekrecione të pazakonta,
- inflamacion të organeve gjenitale,
edhe pse te disa persona simptomat mund të mungojnë plotësisht.
Simptomat e sifilizit mund të përfshijnë:
- plagë rreth organeve gjenitale dhe gojës,
- skuqje në duar,
- rënie të flokëve,
- simptoma të ngjashme me gripin.
Mjekët paralajmërojnë se simptomat shpesh kalojnë pa u vënë re në fazat e hershme dhe mund të shfaqen e të zhduken herë pas here.
Të dyja sëmundjet mund të parandalohen me përdorimin korrekt të prezervativit dhe trajtohen me antibiotikë. Nëse nuk trajtohen në kohë, mund të shkaktojnë pasoja serioze për shëndetin.










