Të burgosurit e Qendrës Korrektuese të Dubravës kanë përfunduar me sukses korrjen e grurit që ata vetë e kultivuan, një iniciativë që është realizuar nën mbikëqyrjen dhe udhëzimin e stafit profesional të kësaj qendre.
Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të Shërbimit Korrektues të Kosovës për të nxitur rehabilitimin e të burgosurve përmes punës, duke ofruar mundësi për zhvillimin e aftësive praktike dhe marrjen e përgjegjësive të reja.
Gruri i mbledhur do të përdoret për furnizimin e të gjitha institucioneve korrektuese, duke sjellë përfitime ekonomike të drejtpërdrejta.
“Përveç zhvillimit të aftësive punuese dhe përmirësimit të mirëqenies së të burgosurve, ky aktivitet ndihmon në uljen e kostove të përgjithshme për furnizim me produkte ushqimore dhe kontribuon në vetëqëndrueshmërinë e sistemit korrektues”, theksohet në njoftimin e Qendrës Korrektuese të Dubravës.