Të akuzuarit për vdekjen e 26-vjeçarit A. Th. deklarohen të pafajshëm ,nëna e viktimës dëshmon, mbrojtja kundërshton akuzat

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, u mbajt seanca e radhës ndaj të pandehurve Enes Ay dhe Hajrullah Brnçani, të akuzuar për vdekjen e 26-vjeçarit A. Th., ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2024

Të pandehurit u deklaruan të pafajshëm, duke mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria Themelore e Prizrenit. Ata  u shprehën  se nuk pranojnë fajësinë për veprat që u ngarkohen.

Në seancën e sotme, në cilësinë e dëshmitares, u dëgjua Esmarije Gashi, nëna e të ndjerit. Ajo para trupit gjykues përshkroi momentet e fundit të komunikimit me të birin, duke theksuar se kishte marrë mesazhe dhe telefonata shqetësuese nga ai mbrëmjen e ngjarjes. Sipas saj, A. Th. i kishte thënë se “ishte në rrezik” dhe po ndiqej, ndërsa kishte kërkuar që dikush nga familja të vinte ta merrte.

Gashi tregoi gjithashtu se pas marrjes së lajmit për vdekjen, kishte kontaktuar persona të tretë që i kishin dërguar fotografi ku viktima shihej i gjakosur dhe i braktisur në rrugë. Ajo tha se beson se djali i saj ishte kërcënuar më herët nga persona që njihte dhe se drejtësia duhet të zbardhë të vërtetën

Ndërsa përfaqësuesi i të dëmtuarës Esmarije Gashi, avokati Esat Gutaj, kërkoi nga trupi gjykues që pas degjimit të dëshmitares gjatë administrimit të provave  të jepet urdhër për verifikimin e bisedave telefonike dhe mesazheve ndërmjet të akuzuarve dhe viktimës, me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes.Ai theksoi se ekziston dyshimi i bazuar se vepra është kryer në bashkëkryerje nga të akuzuarit, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që në ngjarje të jetë i përfshirë edhe një person tjetër. Sipas tij, kjo mund të çojë në rikualifikim dhe ricilësim të veprës penale nga ana e Prokurorisë.

Avokati mbrojtës i Enes Ay, Sylë Hoxha, deklaroi para trupit gjykues se nga shqyrtimi i shkresave të lëndës ka krijuar bindjen se klienti i tij nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Sipas mbrojtësit, Enes Ay ka pranuar se ka pasur një përleshje me viktimën, por mohon të ketë ditur se ai kishte pësuar lëndime të rënda, e aq më pak që si pasojë e tyre ka ndërruar jetë. Ai shtoi se pohimet e aktakuzës nuk qëndrojnë dhe se këto rrethana do të sqarohen gjatë procedurës së administrimit të provave.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i Hajrullah Brnçanit, avokati Nazmi Mustafa, deklaroi se nga provat e paraqitura deri tani nuk rezulton që i mbrojturi i tij të ketë kryer veprat penale që i vihen në barrë. Ai theksoi se provat, si ato direkte ashtu edhe ato indirekte, nuk vërtetojnë përgjegjësinë penale

Sipas tij, në rastin konkret nuk është e logjikshme që dikush që nuk ka aftësi profesionale mjekësore – siç është edhe rasti i të mbrojturit të tij – të jetë përgjegjës për mosofrimin e ndihmës në mënyrë të menjëhershme. Avokati Mustafa shtoi se kjo vepër penale kërkon një analizë më të thelluar dhe shqyrtim të arsyeshëm gjatë administrimit të provave. Po ashtu ai kërkoi edhe lirimin nga masa e paraburgimit

Trupi gjykues refuzoi kërkesën për lirimin nga paraburgimi dhe vendosi vazhdimin e kësaj mase ndaj të dy të pandehurve./Gazeta e Re

Kategoritë
LajmeVendi