Tanket turke së shpejti në Damask: Siria zyrtarisht ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Turqia, pakti i ri në prag

Qeveria siriane ka kërkuar mbështetje zyrtare nga Turqia për forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe për luftën kundër grupeve terroriste, veçanërisht ISIS-it (Daesh), njoftuan të mërkurën burime nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë. “Sipas këtij kërkese, ne vazhdojmë punën për ofrimin e trajnimeve, ndihmës këshillimore dhe mbështetjeje teknike, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Sirisë,” thanë burimet nga ministria.

“Qëllimi kryesor i Turqisë është të mbështesë unitetin politik dhe integritetin territorial të Sirisë dhe të udhëheqë përpjekjet për arritjen e paqes së qëndrueshme në rajon,” shtuan ata.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për përleshjet në provincën siriane Suvejda dhe për sulmet izraelite mbi Damaskun, burimet thanë se sulmet e intensifikuara izraelite kanë rritur më tej tensionet midis komunitetit druzi në jug të Suvejdes dhe autoriteteve qendrore në Damask.

Burimet theksuan se Turqia mbetet e vendosur të ruajë integritetin territorial të Sirisë, të sigurojë stabilitetin dhe të vazhdojë luftën kundër organizatave terroriste.

Më 13 korrik shpërthyen përleshje midis fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në Suvejda. Dhuna u përshkallëzua, e më pas pasuan sulmet ajrore izraelite që synuan pozicionet ushtarake dhe infrastrukturën e ushtrisë siriane, përfshirë edhe kryeqytetin Damask.

Ndërkohë, Izraeli pretendonte “mbrojtjen e komuniteteve druze” si justifikim për sulmet, por shumica e liderëve druze në Siri hodhën poshtë çdo ndërhyrje të huaj dhe konfirmuan përkushtimin e tyre ndaj shtetit të unifikuar sirian. Mbyllja e zjarrit u njoftua të shtunën.

Qeveria e re siriane po punon për rivendosjen e rendit në të gjithë vendin që nga rrëzimi i liderit të mëparshëm, Bashar al-Asad, më 8 dhjetor 2024.

Integrimi i organizatës terroriste SDF

Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me integrimin e organizatës terroriste SDF në strukturat e qeverisë siriane, burimet nga ministria theksuan se “ruajtja e integritetit territorial dhe e të drejtave sovrane të Sirisë është thelbësore për stabilitetin e vendit tonë dhe të rajonit.”

“Në këtë kontekst, zbatimi në terren i pikave të dakorduara midis qeverisë siriane dhe SDF-së më 10 mars do të kontribuojë në këtë stabilitet.

Organizata terroriste SDF duhet të tregojë në mënyrë konkrete respektimin e marrëveshjes me qeverinë në Damask. Zhvillimi i situatës mbi këtë çështje po monitorohet me kujdes në koordinim me institucionet tona përkatëse.”

Qeveria turke prej vitesh thekson se SDF-ja, e udhëhequr nga YPG-ja — degë siriane e PKK-së — është shpallur organizatë terroriste edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu si nga Turqia.

Kategoritë
BotaLajme