Tajlanda dhe Kamboxhia shpallin armëpushim lidhur me tensionin kufitar

– Kryeministri i Malajzisë njoftoi se pas bisedimeve për armëpushim, palët arritën një marrëveshje për armëpushim “të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar”

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, njoftoi se midis Tajlandës dhe Kamboxhias është arritur një mirëkuptim për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar që do të hyjë në fuqi në orën 00:00 sipas kohës lokale, transmeton Anadolu.

Kryeministri kamboxhian, Hun Manet dhe zëvendëskryeministri tajlandez, Phumtham Wechayachai, u takuan në kryeqytetin Kuala Lumpur, nën ndërmjetësimin e Malajzisë për të diskutuar mbi tensionet në kufirin e tyre.

Kryeministri malajzian Anwar njoftoi se pas bisedimeve për armëpushim, palët arritën një marrëveshje për armëpushim “të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” që do të hyjë në fuqi në orën 00:00 sipas kohës lokale.

– Tensionet kufitare midis Tajlandës dhe Kamboxhias

Tajlanda dhe Kamboxhia, të vendosura në Azinë Juglindore dhe të ndara nga një gardh kufitar prej 817 kilometrash, kanë qenë të përfshira në një mosmarrëveshje territoriale prej kohësh.

Një përplasje e shkurtër shpërtheu në rajon më 28 maj pas shkeljeve të një marrëveshjeje kufitare midis Tajlandës dhe Kamboxhias. Ushtritë e të dy vendeve ranë dakord që çështja të zgjidhet në mënyrë paqësore.

Gati dy muaj më vonë, më 24 korrik shpërthyen përleshje në vijën kufitare, ku deri më tani kanë vdekur 32 persona nga të dy vendet.

Në një postim në llogarinë e tij Truth Social dje, presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se kishte biseduar me palët dhe se të dy vendet kanë vendosur të takohen menjëherë për të punuar për një armëpushim dhe në fund për paqen.

Në anën tjetër, pas deklaratave të Trumpit, sulmet e ndërsjella përgjatë kufirit vazhduan.

Kategoritë
BotaLajme