Sveçla thotë ia ka hequr shtetësinë një shtetasi të Kosovës pasi ai “rrezikon sigurinë tonë kombëtare”

Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të shtunën se e ka privuar nga shtetësia një shtetas të Kosovës, duke thënë se ai është i rekrutuar nga institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Serbisë.

Në një njoftim në Facebook, Sveçla tha se Nikolla Vujoviq “përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”.

“Në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizim të brendshëm të Republikës së Kosovës, Serbia ka punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare”, tha Sveçla.

Sveçla tha se u bazua në ligjin për Shtetësinë aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, kur mori vendimin për t’ia hequr shtetësinë Vujoviqit.

“Nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare të Kosovës nga kushdo qoftë. Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj”, tha ai.

Sipas ligjit për Shtetësinë në Kosovë, një person e humb shtetësinë nëse merret me veprimtari të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës, kur është qëllimisht anëtar i një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Kosovës; kur është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër.

Ministri nuk dha më shumë hollësi rreth Vujoviqit, apo veprimtarisë së tij të dyshuar.

Më vonë, Ministria e Brendshme e Kosovës tha se Vujoviqi, duke qenë edhe shtetas i Serbisë, është marrë me aktivitete “që cenojnë sigurinë e Kosovës, në cilësinë e pjesëtarit të forcave të policisë së Serbisë – e gjitha kjo pa pëlqim nga organi kompetent dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake siç e parasheh legjislacioni në fuqi”.

Vendimi i Sveçlës vjen në një kohë kur autoritetet kosovare kanë arrestuar serbë e shqiptarë në Kosovë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Derisa shpeshtohen rastet, njohësit e sigurisë thonë se inteligjenca serbe ka shtrirë rrënjët në tërë territorin e Kosovës ndër vite.

Në fillim të këtij muaji, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai e pranoi fajësinë për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi