Sveçla përkujton Balajn e Xheladinin: Sakrifica e tyre, motivimi ynë për t’i shërbyer vendit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kujtuar Mon Balajn e Arben Xheladinin në 17-vjetorin e vdekjes së tyre.

Ai ka thënë se përmes kësaj proteste kishin qëllim që të kundërshtonin padrejtësitë që i bëheshin Kosovës, raporton Zeri.info.

“Turma jonë paqësore u ballafaqua me dhunën e padrejtë e të shfrenuar të policisë së UNMIK-ut. Plumba gome u drejtuan në kokat e trupat e protestuesve e nga ta u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini teksa u lënduan mbi 80 protestues të tjerë”, shkroi ai ndër tjera.

Sveçla konsideron se Balaj e Xheladini janë dëshmorë të popullit për liri dhe se sakrifica e tyre është motiv për t’i shërbyer vendit.

“17 vite më parë, protestës sonë i printe e ju drejtua edhe Baca Adem Demaçi, veprimtaria e së cilit do të mbetet shembulli ynë më i mirë për ta ndjekur.

Vështirësitë dhe sfidat e tanishme konfirmojnë të drejtën dhe legjitimitetin e protestës së 10 shkurtit. Edhe pse kjo protestë solli ndryshim në atë kohë, akoma ka mbetur shumë për të bërë që aspiratat e drejta të popullit tonë dhe kërkesat e qarta të asaj proteste të plotësohen.

Ne po ecnim drejt atë ditë. Ne do të ecim drejt gjithmonë.

Lavdi Mon Balaj e Arben Xheladini!

Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, shkroi ai në Facebook.

 

Kategoritë
LajmeVendi