Gjykata Supreme ka refuzuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) lidhur me procesin e votimit në komunën e Junikut, e ku kishte kërkuar që të anulohet votimi aty dhe të shpallen të jashtëligjshme.
“Pasi PZAP kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e paraqitur nga AAK, me seli në Junik, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që të anulohen dhe të shpallen të paligjshme zgjedhjet komunale të 12 Tetorit 2025 në Komunën e Junikut, të urdhërohet KQZ që të bëjë pastrimin e listave dhe largimin e të gjithë atyre votuesve të cilët janë regjistruar si banorë-votues të Junikut në tre muajt e fundit para zgjedhjeve të 12 Tetorit 2025, dhe që Komuna e Junikut të shkojë në rivotim. Me rastin e rivendosjes sipas ankesës së lartpërmendur të subjektit politik AAK, me seli në Junik, dhe duke vepruar në tërësi sipas vërejtjeve të dhëna nga Gjykata Supreme e Kosovës në aktvendimin A.A.nr.92/2025, të datës 20.10.2025, PZAP, kishte refuzuar në tërësi të pabazuar ankesën e paraqitur ZL.A.nr.217/2025, të datës 14.10.2025. Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Supreme, pretendimet se në mënyrë të kundërligjshme janë lejuar ndryshimet e vendbanimeve mund të jetë objekt shqyrtimi i Prokurorisë për hetim të mundshëm në drejtim të elementeve të veprës përkatëse penale, por jo si parregullsi që lidhet me ditën e votimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.










