Sulmi ndaj gjinekologut Afrim Veliu, Policia njofton se ka arrestuar një person në Fushë Kosovë

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje ka arrestuar një person të dyshuar për dy raste të ndara që kanë rrezikuar sigurinë publike në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Kjo ka të bëjë me sulmin ndaj gjinekologut Afrim Veliu dhe më pas me gjetjen e një granate dore në ordinancën e tij.

“Njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës, dje ka realizuar me sukses arrestimin e një personi të dyshuar lidhur me dy raste të ndara që rrezikuan sigurinë publike në lagjen Ulpiana, Prishtinë. Më 20.05.2025, një qytetar u sulmua fizikisht nga një person i panjohur përballë ordinancës së tij, duke pësuar lëndime të lehta trupore. Katër ditë më vonë, më 24.05.2025, në hyrje të së njëjtës ordinancë, u gjet një granatë dore F-1 pa mekanizëm ndezës, e cila u largua në mënyrë të sigurt nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplodues (NJTME).”

I dyshuari është arrestuar në Fushë Kosovë dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë.

“Pas hetimeve të thelluara, dje në Fushë Kosovë është identifikuar dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit. Gjatë bastisjes në adresën ku qëndronte me qira, janë sekuestruar prova relevante. Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.”

Policia thotë se janë duke vazhduar hetimet që të identifikohen edhe të dyshuarit tjerë.

“Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë, me qëllim të identifikimit të personave tjerë të përfshirë dhe zbardhjes së plotë të rastit. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën, dhe riafirmon përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë publike, parandalimin e rreziqeve dhe zbulimin e çdo vepre penale që cenon rendin dhe qetësinë publike. Siguria juaj, misioni ynë!”

Kategoritë
LajmeVendi