“Një automjet është shënjestruar në Nabatieh”, tha agjencia zyrtare libaneze e lajmeve
Një sulm izraelit me dron sot shënjestroi një makinë në jug të Libanit, duke vrarë një person, tha Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA), transmeton Anadolu.
Automjeti u shënjestrua në rrugën Nmairiyeh-Sharqiyah në Nabatieh, tha NNA, ndërsa identiteti i viktimës nuk është zbuluar menjëherë. Nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite në lidhje me sulmin.
Izraeli nisi një sulm ndaj Libanit më 8 tetor 2023 që u përshkallëzua në luftë të plotë deri më 23 shtator 2024. Konflikti ka vrarë më shumë se 4.000 njerëz, ka plagosur mbi 17.000 dhe ka zhvendosur gati 1.4 milion, sipas të dhënave zyrtare.
Forcat izraelite kanë kryer sulme pothuajse të përditshme në jug të Libanit, duke pretenduar se kanë shënjestruar aktivitetet e Hezbollahut pavarësisht një armëpushimi të nëntorit midis Izraelit dhe Libanit. Armëpushimi i dha fund muajve të luftës ndërkufitare midis Izraelit dhe grupit të rezistencës libaneze.
Autoritetet libaneze kanë raportuar gati 3.000 shkelje të armëpushimit nga ana e Izraelit, përfshirë vdekjen e të paktën 231 personave dhe plagosjen e më shumë se 500 të tjerëve që nga nënshkrimi i marrëveshjes.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga jugu i Libanit deri më 26 janar, por afati u zgjat deri më 18 shkurt pasi Tel Avivi refuzoi të zbatonte marrëveshjen.
Izraeli ende mban një prani ushtarake në pesë pika kufitare.