Sulm i ri izraelit në Siri: Gjashtë ushtarë sirianë humbin jetën pranë Damaskut

Gjashtë ushtarë sirianë kanë humbur jetën në një sulm me dronë të ushtrisë izraelite në zonën përreth Damaskut, njoftoi televizioni shtetëror El Ekhbariya.

Ngjarja vjen në kohën kur Siria dhe Izraeli po zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e SHBA-së për uljen e tensioneve në jug të Sirisë, ku Damasku kërkon një marrëveshje sigurie që mund të hapë rrugën për negociata politike më të gjera.

Autoritetet siriane akuzuan Izraelin se ka dërguar 60 ushtarë në territorin e saj pranë malit Hermon, duke shkelur sovranitetin e vendit. Ushtria izraelite reagoi duke deklaruar se kishte zhvilluar një “operacion rutinë” në jug të Sirisë, por jo në Beit Jinn, afër kufirit me Libanin dhe malin Hermon.

Ministria siriane e Punëve të Jashtme e cilësoi sulmin e fundit izraelit si një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë rajonale.

Izraeli ka justifikuar ndërhyrjet e tij të përsëritura në Siri me arsyet e sigurisë, veçanërisht pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Asad në dhjetor të vitit të kaluar, duke theksuar mbrojtjen e minoritetit druz në jug të vendit.

Në janar, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, kishte deklaruar se trupat izraelite do të mbeten në majën e malit Hermon për një kohë të pacaktuar.

Kategoritë
BotaLajme