Suedia dhe Holanda kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të pezullojë marrëveshjen tregtare me Izraelin për shkak të sulmeve në Rripin e Gazës.
Kryeministri suedez Ulf Kristersson deklaroi të enjten se situata në Gaza ka marrë përmasa “krejtësisht të mjerueshme” dhe se Izraeli nuk po e përmbush detyrimin për të lejuar dërgesa të pakufizuara ndihmash humanitare.
“Prandaj Suedia kërkon që BE të ngrihet menjëherë pezullimi i komponentës tregtare të Marrëveshjes së Asocimit. Presioni ekonomik ndaj Izraelit duhet të rritet. Qeveria izraelite duhet t’i lejojë ndihmat humanitare pa asnjë kufizim në Gaza,” shkroi ai në X.
Komentet e tij vijnë dy ditë pasi Holanda mori një qëndrim të ngjashëm. Ministri holandez i Punëve të Jashtme, Caspar Veldkamp, gjithashtu ka mbështetur pezullimin e komponentës tregtare të Marrëveshjes së Asocimit BE–Izrael nëse ndihmat humanitare në Gaza nuk rriten.
Thirrjet për pezullim të marrëveshjes pasojnë njoftimet e disa vendeve për njohjen e Shtetit të Palestinës, si një përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme izraelite në Gaza.
Kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi të enjten se Kanadaja ka ndërmend ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator, pas njoftimeve të ngjashme nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.
Më herët këtë javë, Agjencia Botërore për Ushqimin e OKB-së paralajmëroi se uria po përhapet në enklavën e rrethuar, dhe se një në tre fëmijë në qytetin e Gazës vuan nga kequshqyerja akutë.