Suedezët po zhvendosin një kishë mbi 113-vjeçare pesë kilometra larg me rimorkio, i gjithë qyteti po e ndjek

Kisha luterane suedeze Kiruna Kyrka, e ndërtuar në vitin 1912, me peshë 672 tonë, do të zhvendoset pesë kilometra larg mbi rimorkio të telekomanduara me platformë të sheshtë të martën dhe të mërkurën, duke u lëvizur me shpejtësi gjysmë kilometri në orë drejt qytetit të ri të Kirunës.

Operacioni i ndërlikuar dhe i kushtueshëm logjistik ka ngjallur interes të madh dhe pritet që mbi 10.000 njerëz të mbushin rrugët e qytetit me 18.000 banorë.

Mbreti Karl XVI Gustaf do të jetë mes atyre që do të ndjekin ngjarjen në qytet. Televizioni suedez do ta transmetojë udhëtimin drejtpërdrejt – një version i ri i trendit të “televizionit të ngadaltë” – me 30 kamera të vendosura përgjatë rrugës.

I gjithë qendra e Kirunës po zhvendoset për shkak të minierës gjigante të hekurit LKAB që dominon rajonin, por gërmimet gjithnjë e më të thella ndër vite e kanë dobësuar tokën, duke rritur rrezikun e shembjeve në disa zona.

Procesi i zhvendosjes së qytetit filloi pothuajse dy dekada më parë dhe pritet të vazhdojë për vite të ardhshme. Qendra e re e qytetit u hap zyrtarisht në shtator 2022.

Zhvendosja e kishës pritet të kushtojë 500 milionë korona (52 milionë dollarë), dhe shpenzimet po mbulohen nga LKAB.

Ndërtesa impozante, 40 metra e lartë, e dizajnuar nga arkitekti suedez Gustaf Wickman, përfshin ndikime të ndryshme, mes tyre edhe elementë të frymëzuar nga populli indigjen Sami në dizajnin e bankave të kishës.

Fasada neogotike ka çati të pjerrëta dhe dritare nga të dyja anët, ndërsa brendësia e errët përmban elemente të romantizmit kombëtar dhe një altar art nouveau.

Kisha është një nga 23 ndërtesat kulturore që po zhvendosen në kuadër të projektit të transferimit të Kirunës. LKAB e ka quajtur këtë “një ngjarje unike në historinë botërore”.

Edhe pse edhe më parë objekte të mëdha e më të rënda janë zhvendosur, kjo zakonisht ka ndodhur në porte apo zona industriale – jo përmes qyteteve të vogla. Rrugët përgjatë itinerarit janë zgjeruar nga 9 në 24 metra dhe janë niveluar për të siguruar lëvizjen e qetë, një proces që ka zgjatur një vit, sipas LKAB-së.

Kompania ka ofruar kompensim financiar për të gjithë të prekurit nga zhvendosja e qytetit ose rindërtim të shtëpive e objekteve të tyre.

“Por kur erdhi fjala te kisha, vendosëm se më e mira ishte ta zhvendosnim të tërën në një copë. E pamë vlerën në këtë”, tha për AFP udhëheqësi i projektit në LKAB, Stefan Holmblad Johansson.

“Me respekt të madh iu qasëm këtij projekti. Kjo nuk është çfarëdo ndërtese, kjo është një kishë”, shtoi ai.

Struktura është “kontrolluar thellësisht para zhvendosjes për të mbrojtur sa më mirë vlerat e saj kulturore dhe për të siguruar që piktura e altarit dhe veçanërisht organoja të transportohen me kujdes”, deklaroi kompania.

Piktura e altarit – e realizuar nga princi suedez Eugen (1865–1947), një peizazh pastel i frymëzuar nga udhëtimet e tij në Toskanën italiane dhe në Suedinë perëndimore – dhe organoja e madhe me mbi 2000 tuba janë mbështjellë e mbrojtur me kujdes për udhëtimin.

Toka përreth lokacionit aktual të kishës është gërmuar, duke mundësuar vendosjen e trarëve të mëdhenj poshtë saj për t’u ngritur me vinç.

“Kisha qëndron mbi sistemin e trarëve dhe më pas janë sjellë dy rreshta rimorkiosh që janë futur nën ta”, shpjegoi Holmblad Johansson.

Kur të nisë zhvendosja të martën, e gjithë pesha do të arrijë në 1200 tonë, sipas LKAB-së.

Kulla e kambanës, që ndodhet veçmas pranë kishës, do të zhvendoset javën e ardhshme.

Zhvendosja të martën pritet të kthehet në një festë rrugore, me LKAB-në që do t’i ofrojë të pranishmëve ushqime, pije freskuese dhe argëtim live.

Kategoritë
BotaLajme