Greta Thunberg është kthyer në shtëpi, në Suedi, pas deportimit nga Izraeli, por me një qëndrim sfidues ka premtuar se do të kthehet sërish, pas dështimit të misionit të saj humanitar për Gazën.
Kjo aktiviste 22-vjeçare zbriti në vendin e saj të martën në mbrëmje dhe u mirëprit me entuziazëm nga qytetarë që valëvitnin flamuj palestinezë.
E pyetur nga gazetarët nëse ishte ndjerë e frikësuar kur ushtria izraelite hipi në anijen Madleen, ajo u përgjigj:
“Ajo që më frikëson është heshtja e njerëzve gjatë një gjenocidi në vazhdim. Më së shumti jam e shqetësuar për shkeljet e vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare dhe për krimet e luftës për të cilat është përgjegjës Izraeli.”
Ajo e akuzoi Izraelin për një gjenocid sistematik dhe për një urije sistematike të mbi dy milionë njerëzve në Gaza.
Thunberg premtoi se nuk do të ndalojë përpjekjet për të ndihmuar popullin e Gazës dhe theksoi:
“Kjo nuk është fundi.”
Presidenti amerikan Donald Trump nuk e la pa koment këtë çështje, duke thënë se “Izraeli ka mjaft probleme edhe pa rrëmbimin e Gretes Thunberg”, dhe shtoi me ironi:
“Ajo është një vajzë e re dhe e zemëruar… Mendoj se ka nevojë për një kurs menaxhimi të zemërimit.”
Thunberg iu përgjigj komenteve të tij:
“Mendoj se botës i duhen shumë më tepër gra të reja dhe të zemëruara, për të qenë e sinqertë – sidomos duke parë gjithçka që po ndodh aktualisht.”