Studiuesit në konferencën për Gazën në Stamboll theksojnë detyrimin urgjent për ndihmë

Konferenca e titulluar “Përgjegjësia Islame dhe Humanitare: Gaza” ka mbledhur mbi 150 studiues nga më shumë se 50 vende për të diskutuar luftën e Izraelit në Gaza dhe përgjigjen e botës islame.

Studiues të shquar muslimanë kanë deklaruar detyrimin urgjent për të ofruar ndihmë për palestinezët në Gaza, teksa dita e dytë e konferencës ndërkombëtare vazhdon në Ishullin e Demokracisë dhe Lirisë në Stamboll.

Konferenca e titulluar “Përgjegjësia Islame dhe Humanitare: Gaza” organizohet nga Unioni Ndërkombëtar i Studiuesve Musliman (IUMS) dhe Fondacioni për Studiuesit Islam në Turqi. Konferenca ka mbledhur mbi 150 studiues nga më shumë se 50 vende për të diskutuar luftën e Izraelit në Gaza dhe përgjigjen e botës islame.

Dita nisi me një sesion protokollar me fjalime nga figura të larta, përfshirë presidentin e IUMS-it, Sheikh Ali Muhyiddin al-Qaradaghi, kreun e Presidencës së Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Ali Erbaş dhe sekretarin e përgjithshëm të IUMS-it, Sheikh Ali Muhammad al-Sallabi.

Sheikh Abdul Wahab Aykinci, presidenti i Shoqatës Ummat, hapi sesionin në emër të komitetit organizator, ndërsa fjalime të ftuarish mbajtën studiues irakianë dhe turq, përfshirë Sheikh Ahmed Hassan Al-Taha nga Këshilli i Fikhut të Irakut dhe prof. Nasrullah Hacımuftuoğlu, presidenti i Fondacionit për Studiuesit Islam në Turqi.

Punëtoria e parë u fokusua tek “detyrimi për të ndihmuar Gazën”, ku drejtuesit e delegacioneve paraqitën rekomandimet e tyre.

Më vonë gjatë ditës, programi do të përfshijë një konferencë për media mbi zhvillimet e fundit në Gaza, fjalime të të ftuarve dhe do të përmbyllet me një deklaratë publike dhe protestë në solidaritet me palestinezët.

Ky aktivitet tetë-ditor, i cili nisi të premten me lutje në Xhaminë Eyup Sultan të Stambollit, do të vazhdojë deri më 29 gusht.

Mbyllja është planifikuar të mbahet në Xhaminë e Madhe Ajasofja, ku do të publikohet “Deklarata e Stambollit”, një dokument që organizatorët thonë se do të përshkruajë “hapa konkret për veprime politike, humanitare dhe ligjore” në mbështetje të çështjes palestineze.

Kategoritë
BotaLajmeLajmet Kryesore