Statovci fajëson opozitën për bllokadë në Kuvend: Ata dhe komunitetet joshumicë mund të kenë marrëveshje për zgjedhjet lokale

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, ka kritikuar partitë opozitare dhe disa përfaqësues të komuniteteve joshumicë për pamundësinë e krijimit të institucioneve të reja në Kosovë.

Ajo e cilësoi këtë situatë si një strategji të qëllimshme politike, e cila, sipas saj, nuk është produktive për vendin.

Statovci theksoi se kjo politikë ka ndikim edhe tek zgjedhjet lokale, ku mund të ketë marrëveshje të paqarta nga opozita.

“Pamundësia për krijimin e institucioneve është shndërruar tashmë në një strategji të disa partive opozitare, përfshirë edhe disa përfaqësues të komuniteteve joshumicë. Nuk e di nëse kjo strategji do të jetë produktive për ta, por e di me siguri që nuk është produktive për Kosovën. Mendoj që kjo politike përkufizon në terrenin e saj edhe zgjedhjet lokale, ku mund të ketë marrëveshje nga ta, të cilat ne nuk i kemi të ditura”, tha Statovci.

Ajo theksoi se, pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, ka bërë përpjekje për të gjetur një rrugëdalje nga kjo krizë, duke përfshirë edhe tentativat për të ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në koalicione, ka hasur në një qasje destruktive nga ana e opozitës.

“Ne, si fitues të zgjedhjeve, po përpiqemi të ofrojmë një rrugëdalje nga kjo situatë. Jemi përpjekur të japim zgjidhje, qoftë në aspektin proceduror apo politik. Për këtë arsye kemi tentuar të thërrasim edhe LDK-në në koalicion, por përkundër këtyre hapave, kemi hasur sërish në një qasje destruktive, e cila tashmë po shndërrohet në një strategji të qëllimshme politike”, tha ajo.

“Kjo po dëshmohet edhe në përpjekjen tonë të rradhes për t’i dhënë zgjidhje situatës. Bëhet fjalë për votimin e fshehtë nga deputetët, një proces ku Kushtetuta e Kosovës obligon pjesëmarrjen në votim kur është në pyetje konstituimi i Kuvendit”, shtoi Statovci.

Statovci bëri thirrje për përpjekje të vazhdueshme dhe përkushtim për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme, duke përmendur se aktualisht po punohet për të gjetur një konsensus mes aktorëve politikë.

Ajo e theksoi se ka dy mundësi për të zgjidhur situatën: arritjen e një marrëveshjeje përmes konsensusit, që do të pasqyronte vullnetin e sovranit, dhe në rast dështimi, mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Në këtë situatë ekzistojnë dy rrugë: e para është arritja e një konsensusi që i nënshtrohet verdiktit të sovranit – për të cilin ne kemi besim se do të arrihet; e dyta janë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Këto ditë është punuar me përkushtim dhe fokus të veçantë për të ridiskutuar pikëpamjet e akterëve me të cilët jemi në bisedime, me qëllim që të arrijmë një zgjidhje optimale për vendin”, tha Statovci për GazetaBlic.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi