“Nëse të gjithë e dimë se cila është e vetmja zgjidhje që do të sjellë drejtësi për popullin palestinez, siguri për popullin izraelit dhe paqe e stabilitet për të gjithë Lindjen e Mesme, pse të mos e zbatojmë atë?”, tha ministri i Jashtëm spanjoll
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, mbrojti fuqishëm zgjidhjen me dy shtete për Palestinën, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të zgjedhë mes gjakderdhjes së vazhdueshme apo veprimit të menjëhershëm për të zbatuar të vetmen rrugë të zbatueshme drejt paqes në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Duke folur për CNN, Albares tha se zgjidhja me dy shtete nuk është imponim i huaj, por rezultat i negociatave midis izraelitëve dhe palestinezëve vetë. “Nuk ishte Spanja apo Kombet e Bashkuara që vendosën për zgjidhjen me dy shtete”, tha ai.
“Ishin Izraeli dhe Palestina që negociuan dhe përcaktuan parametrat së bashku”, shtoi ai.
Albares parashtroi një pyetje të drejtpërdrejtë për bashkësinë ndërkombëtare: “Nëse të gjithë e dimë se cila është e vetmja zgjidhje që do të sjellë drejtësi për popullin palestinez, siguri për popullin izraelit dhe paqe e stabilitet për të gjithë Lindjen e Mesme, pse të mos e zbatojmë atë?”.
Ai paralajmëroi se dështimi për të vepruar do të nënkuptojë pranimin e një pasigurie të përhershme. “Ose e pranojmë se gjithmonë do të shohim dhunë në Lindjen e Mesme, ose kalojmë drejt zgjidhjes me dy shtete”, tha ai.
Spanja, së bashku me Irlandën dhe Norvegjinë, e njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës në maj të vitit 2024, një vendim që u përball me kritika të ashpra nga Izraeli, por u lavdërua nga shumë aktorë ndërkombëtarë si hap guximtar drejt paqes.
Albares e përshkroi njohjen si “një angazhim të qartë për paqen dhe stabilitetin për gjithë Lindjen e Mesme”.
Izraeli ka vendosur një bllokadë ndaj Gazës prej 18 vitesh dhe, që nga 2 marsi, ka mbyllur të gjitha pikat e kalimit, duke bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare dhe duke përkeqësuar kushtet për 2.4 milionë banorët e enklavës palestineze.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 147 persona kanë vdekur nga uria që nga tetori 2023, përfshirë 88 fëmijë.
Ushtria izraelite, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka vrarë më shumë se 60 mijë palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar një krizë të rëndë urie.
Të hënën, grupet izraelite për të drejtat e njeriut “B’Tselem” dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut – Izrael, e akuzuan Izraelin për kryerje të gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe rrënimin e qëllimshëm të sistemit shëndetësor në enklavë.