Alarmi i kuq u dha për disa rajone veriore, ku temperaturat mund të arrijnë 42 gradë Celsius.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar punën e institucioneve kosovare të drejtësisë të cilët arrestuan javën e kaluar pesë ish-pjesëtarë të Policisë së Serbisë të dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Reçakut të vitit 1999, raporton Anadolu.
Në mbledhjen e parë të qeverisë në detyrë që pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit 2026, Kurti tha se afër 27 vjet e gjysmë pas Masakrës së Reçakut, janë arrestuar pesë ish-pjesëtarë të Policisë së Serbisë.
“Derisa në njërën anë përgëzojmë institucionet për arrestimin e të dyshuarve pas një hetimi prej gjashtë muajsh, nuk mund të mos vëmë në spikamë faktin se deri në vitin 2020 askush nuk u mor me këtë rast. Rrjedhimisht nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i asnjë nuk ishte për Masakrën e Reçakut. Në njërën anë kemi arrestim pas gjashtë muajsh hetim e në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekje të përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi lidhur me këtë rast”, theksoi Kurti.
Ai tha se derisa lufta e Kosovës po i afrohet tri dekadave të plota, dëshmitarët e luftës po plaken dhe jo pak prej tyre edhe kanë vdekur “andaj hetimet duhet të marrin hov të shtuar”.
– “Kosova nuk kishte nevojë për zgjedhjet e 7 qershorit”
Duke folur rreth zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit 2026, Kurti tha se Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve e dëshmoi një gjë të tillë.
Sipas Kurtit, populli foli qartë përsëri dhe rezultati duhet të pranohet dhe të respektohet si dhe vullneti i popullit të zbatohet dhe të përkthehet në institucione funksionale e demokratike.
“Posa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja. Konstituimin e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, tha Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e cila udhëhiqet nga Kurti fitoi në këto zgjedhje shumicën parlamentare duke marrë 53 deputetë në Legjislaturën e ardhshme të Kuvendit, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 18 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 7 deputetë.
Partia e udhëhequr nga Kurti mund ta bëjë qeverinë e vetme, me mbështetjen e deputetëve nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe, mirëpo asaj i duhet mbështetja edhe nga një parti tjetër e madhe për votimin e presidentit të ri, çështje për të cilën vendi shkoi në zgjedhje të reja.
Deri më tani nga LDK-ja kanë shprehur gatishmëri për diskutime për një koalicion të mundshëm qeverisës me LVV-në, por, Kurti ka deklaruar se diskutimet do të nisin pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) pritet që t’i certifikojë rezultatet e 7 qershorit në ditët e para të muajit korrik.













