Familjet e 128 viktimave kanë kërkuar zhvarrosje. Megjithatë, varri masiv, i ndërtuar nga regjimi i Francos për të përkujtuar të rënët dhe për të lartësuar regjimin fashist, mban eshtrat e gati 34.000 njerëzve
Spanja nisi sot zhvarrosjen e eshtrave të viktimave të luftës civile nga një monument që deri vonë strehonte eshtrat e diktatorit Francisco Franco, raporton Anadolu.
Familjet e 128 viktimave kanë kërkuar zhvarrosje. Megjithatë, varri masiv, i ndërtuar nga regjimi i Francos për të përkujtuar të rënët dhe për të lartësuar regjimin fashist, mban eshtrat e gati 34.000 njerëzve.
Udhëheqësit fashistë Francisco Franco dhe Primo de Rivera u zhvarrosën nga monumenti në vitet që kur qeveria e koalicionit progresiv mori pushtetin në Spanjë.
Një ekip prej 15 specialistësh, përfshirë ekspertë mjeko-ligjorë, arkeologë, dentistë, gjenetistë dhe policë shkencorë, po marrin pjesë në misionin që disa familje e kanë pritur prej dekadash.
Ekspertët kanë filluar misionin me shpresën për të gjetur kutitë që përmbajnë eshtrat e viktimave që do të hiqen. Më pas, kockat dhe dhëmbët do të analizohen për identifikim.
“Ne ndihemi shumë me shpresë”, tha Eduardo Ranz, avokati i familjeve, për transmetuesin spanjoll TVE, duke shtuar se procesi “do të marrë javë”.
Ndërkohë, zëdhënësja e qeverisë spanjolle Isabel Rodriguez vlerësoi zhvarrosjen që është përballur me pengesa ligjore prej vitesh.
“Më në fund, edhe pse ndoshta me vonesë, demokracia e Spanjës po u përgjigjet viktimave”, tha ajo për TVE.
“Një vend që ruan demokracinë dhe kujton ata që e bënë të mundur nuk mund të vazhdojë sikur kjo të mos ekzistonte”, shtoi Rodriguez.
Zhvarrosjet po ndodhin pak më shumë se një muaj para zgjedhjeve kombëtare dhe mbeten tejet të politizuara.
Qeveria e koalicionit, e udhëhequr nga Partia Socialiste me të majtën ekstreme, miratoi një ligj të ri të kujtesës historike në vitin 2022, duke provokuar kritika të ashpra nga fraksionet e krahut të djathtë që kanë shprehur akuza për polarizim të shoqërisë dhe gërmim të së kaluarës.
Në një intervistë të vitit 2022 me Europapress, Alberto Nunez Feijoo, kreu i Partisë Popullore, tha se do të ndryshonte ligjin e kujtesës nëse fiton pushtetin.
