Megjithatë, media izraelite vlerësoi se mundësia e një sulmi izraelit ose amerikan para zgjedhjeve afatmesme në SHBA në nëntor është relativisht e ulët.
Izraeli po përgatitet për një veprim të ri të mundshëm ushtarak kundër Iranit, qoftë në koordinim me SHBA-në, qoftë në mënyrë të pavarur, transmeton Anadolu.
Gazeta “Israel Hayom” raportoi se ushtria izraelite po përgatitet për një sulm të mundshëm ndaj Iranit, teksa po mban bashkëpunim të ngushtë në fushën e inteligjencës dhe të operacioneve me ushtrinë amerikane.
Sipas raportit, Izraeli po përgatitet për një veprim parandalues të mundshëm ose për një kundërpërgjigje ndaj një sulmi iranian. Megjithatë, gazeta vlerësoi se mundësia e një sulmi izraelit ose amerikan para zgjedhjeve afatmesme në SHBA në nëntor është relativisht e ulët.
Gazeta shtoi se Izraeli vazhdon ta konsiderojë programin bërthamor të Iranit si një shqetësim madhor.
Ndërkohë, faqja izraelite e lajmeve Walla dje raportoi se SHBA-ja po përgatitet të dërgojë trupa dhe avionë shtesë në Izrael gjatë javëve të ardhshme, në kuadër të përgatitjeve për një përshkallëzim të mundshëm në Lindjen e Mesme.
Duke cituar burime të paidentifikuara të sigurisë, Walla raportoi se aktualisht rreth 3.000 ushtarakë amerikanë janë të dislokuar në Izrael, përfshirë trupa që operojnë sistemet e mbrojtjes ajrore, si dhe pilotë, ekipe mbështetëse dhe personel logjistik.
Sipas saj, trupa dhe avionë të tjerë amerikanë pritet të mbërrijnë gjatë javëve të ardhshme ndërsa Washingtoni po forcon praninë e tij ushtarake në rajon.
Faqja raportoi se ushtria izraelite po vazhdon përgatitjet për një përballje të re të mundshme me Iranin ose për një përkeqësim të shpejtë të tensioneve në rajon, duke ruajtur një koordinim të ngushtë me Komandën Qendrore të SHBA-së (CENTCOM).
Raportet vijnë në një kohë kur ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, dje tha se Teherani ishte i gatshëm të vazhdojë ndjekjen e diplomacisë për të arritur atë që ai e quajti “zgjidhje të drejtë”.
Irani i paraqiti Washingtonit shtatë kushte përmes ndërmjetësve nga Katari gjatë takimeve të zhvilluara në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në fund të shtatorit, lidhur me hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump më vonë tha se Washingtoni nuk i kishte pranuar kushtet e Iranit.
