Sondazh, mbi 70 për qind e gjermanëve kërkojnë qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit

– Në Gjermani janë mbajtur protesta të gjera në shenjë zemërimi për krimet e luftës të kryera nga Izraeli në Gaza.

Pothuajse tre të katërtat e gjermanëve besojnë se vendi i tyre duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Izraelin për të adresuar situatën shkatërruese humanitare që po zhvillohet në Rripin e Gazës, sipas një sondazhi të “Forsa”-s të porositur nga revista “Stern”, transmeton Anadolu.

Rreth 74 për qind e të anketuarve thanë se do të donin të shihnin qeverinë federale të mbante një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit për shkak të konfliktit të tij kundër grupit palestinez Hamas në Gaza.

Sondazhi zbuloi një ndarje të qartë në opinione bazuar në përkatësinë politike, pasi rreth 94 për qind e votuesve të Partisë së Majtë të opozitës dhe 88 për qind e votuesve të Partisë së Gjelbër janë në favor të ushtrimit më të madh të presionit mbi Izraelin.

Midis mbështetësve të Demokratëve të Krishterë (CDU) të qendrës së djathtë në pushtet dhe partisë së tyre simotër Unioni Kristian Social (CSU) dhe Partisë Social Demokratike (SPD) të qendrës së majtë, rreth 77 për qind duan që qeveria gjermane të bëjë më shumë për ta detyruar Izraelin të lehtësojë situatën katastrofike humanitare dhe t’i japë fund luftës, e cila vazhdon që nga tetori i vitit 2023.

Refuzimi më i fortë i presionit të shtuar diplomatik kundër Izraelit vjen midis mbështetësve të partisë ekstremiste të krahut të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Megjithatë, shumica prej 61 për qind e votuesve të AfD janë në favor të asaj që Gjermania të mbajë qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit.

Gjermania prej kohësh ka qenë mbështetëse e vendosur e Izraelit, me udhëheqës politikë që theksojnë vazhdimisht përgjegjësinë historike të vendit ndaj Izraelit që rrjedh nga e kaluara e saj naziste dhe krimet e kryera kundër hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vendi ka parë protesta të gjera, ku njerëzit kanë dalë në rrugë për të shprehur zemërimin e tyre për krimet e luftës të Izraelit në Gaza. I përballur me presionin publik në rritje, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se qeveria e tij po shqyrton rritjen e presionit ndaj Izraelit për shkak të situatës së rëndë humanitare në enklavë.

Izraeli ka vrarë mbi 60 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023. Bllokada e enklavës nga Izraeli ka çuar në mungesë ushqimi dhe vdekje nga uria.

Kategoritë
BotaLajme