Sondazh: 64 për qind e izraelitëve besojnë se “nuk ka të pafajshëm” në Gaza

Sondazhi nga “Qendra aChord” e Universitetit Hebraik ka sinjalizuar një rritje të pikëpamjeve ekstremiste në shoqërinë izraelite

Një sondazh i ri zbuloi sot se rreth 64 për qind e izraelitëve besojnë se “nuk ka të pafajshëm” në Gaza, duke sinjalizuar një rritje të pikëpamjeve ekstremiste në shoqërinë izraelite, transmeton Anadolu.

Sondazhi nga “Qendra aChord” e Universitetit Hebraik tregoi se 87 për qind e mbështetësve të koalicionit qeverisës nuk shohin “asnjë të pafajshëm” në enklavën palestineze.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se 73 për qind e votuesve për partinë “Yisrael Beiteinu” të udhëheqësit të opozitës Avigdor Lieberman dhe parti të tjera të krahut të djathtë, jo të koalicionit, kanë të njëjtin mendim.

Ai zbuloi se mbështetja midis votuesve të qendrës ndaj kësaj ideje ishte 67 për qind, ndërsa 30 për qind e votuesve të krahut të majtë ishin dakord me mendimin e tillë. Nga ana tjetër, 92 për qind e qytetarëve arabë të Izraelit e kanë hedhur poshtë këtë mendim.

Sondazhi gjithashtu shqyrtoi qëndrimet e publikut ndaj mbulimit mediatik të luftës izraelite në Gaza. Ai zbuloi se 64 për qind e izraelitëve kanë thënë se mbulimi mediatik vendas është i balancuar dhe nuk kërkohet raportim më i gjerë mbi situatën humanitare në enklavën palestineze.

Midis votuesve të koalicionit, 89 për qind e kanë mbështetur këtë pikëpamje, ndërsa midis votuesve të opozitës, vetëm 44 për qind kanë qenë dakord, me 56 për qind të këtyre të fundit që kanë kërkuar mbulim më të gjerë.

Lidhur me mediat specifike, 39 për qind e të anketuarve e konsiderojnë Kanalin 14, i cili shihet gjerësisht si mbështetës i kryeministrit Benjamin Netanyahu, si ofrues i mbulimit të balancuar të Gazës, ndërsa 56 për qind kanë thënë se është i anshëm kundër banorëve të Gazës dhe 5 për qind kanë pretenduar se i favorizon ata.

Sipas gazetës Haaretz, Kanali 14 i ka etiketuar sistematikisht të gjitha viktimat në Gazë si “terroristë dhe, në shumë raste, ka lavdëruar vrasjen ose dëmtimin e civilëve”.

Lidhur me median ndërkombëtare, 69 për qind e të anketuarve e konsiderojnë CNN-in dhe BBC-në të anshme ndaj palestinezëve në Gaza, ndërsa 50 për qind e shohin Fox News-in, të lidhur me të djathtën amerikane, si po aq të anshëm, tha Haaretz.

Për më tepër, 77 për qind e pjesëmarrësve kanë thënë se “opinioni publik global për Izraelin është shumë ose disi i rëndësishëm”.

Sondazhi është kryer në javën e fundit të majit dhe ka përfshirë një mostër përfaqësuese prej 1.112 të anketuarish izraelitë.

Kategoritë
BotaLajme