Sllovenia sanksionoi dy ministra izraelitë shkaku i luftës në Palestinë

Qeveria e Sllovenisë ka marrë vendim për të shpallur dy ministra izraelitë persona të padëshiruar, për shkak të, siç është arsyetuar, nxitjes së dhunës dhe shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ndaj popullit palestinez.

Ky vendim është bërë i ditur për publikun nga ministrja e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon, e cila theksoi se kjo është hera e parë që një shtet anëtar i Bashkimit Evropian ndërmerr një hap të tillë.

“Me këtë po dërgojmë një mesazh të qartë për autoritetet izraelite se vrasjet e civilëve, pastrimi etnik dhe sjelljet me elementë të gjenocidit duhet të ndalen,” deklaroi Fajon. Ajo paralajmëroi gjithashtu se qeveria sllovene po përgatit masa shtesë kombëtare, me shpresën se edhe vendet e tjera evropiane do ta ndjekin këtë shembull.

Sanksionet janë drejtuar ndaj Itamar Ben-Gvir, ministër për Sigurinë Kombëtare të Izraelit, dhe Bezalel Smotrich, ministër i Financave dhe njëkohësisht ministër i përkohshëm i Mbrojtjes. Sipas arsyetimit të qeverisë sllovene, këta dy zyrtarë janë të njohur për retorikën që hapur mbështet zgjerimin e vendbanimeve ilegale në territoret e okupuara, zhvendosjen e detyruar të palestinezëve dhe dhunën ndaj civilëve.

“Deklaratat dhe veprimet e tyre minojnë drejtpërdrejt të drejtën ndërkombëtare dhe përbëjnë një formë nxitjeje për pastrim etnik në Gaza dhe Bregun Perëndimor,” thuhet në deklaratën zyrtare. Ky vendim i referohet edhe Mendimit Këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga korriku i vitit 2024, i cili dënon politikën izraelite në territoret palestineze të okupuara, përfshirë Jerusalemin Lindor.

Fajon, më herët gjatë kësaj jave në Bruksel, ku u mblodhën ministrat e jashtëm të BE-së, shprehu zhgënjimin për mungesën e unitetit brenda Unionit në lidhje me përgjigjen ndaj operacioneve ushtarake izraelite në Gaza. “Marrëveshja për ndihmë humanitare nuk mund të përdoret si justifikim për pasivitet politik,” paralajmëroi ajo.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për një armëpushim urgjent, lirimin e pengjeve, nisjen e negociatave serioze për paqe dhe ofrimin e menjëhershëm të ndihmës humanitare për popullsinë e Gazës, e cila, sipas saj, po përballet me uri, varfëri dhe vuajtje të përditshme.

Kategoritë
BotaLajme