Sllovenia po përgatit ndalim-hyrjen për Dodikun dhe Netanyahun

Qeveria e Sllovenisë në seancën e sotme ka shqyrtuar nismën që Milorad Dodikut, ish-presidentit të entitetit Republika Srpska, si dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahut, t’u ndalohet hyrja në vend.

Vendimi ende nuk është marrë, pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Sllovenisë (MZEZ) duhet të plotësojë materialin, por pritet që vendimi përfundimtar të miratohet në seancën e ardhshme, raporton N1 Slovenia.

Para seancës, qeveria e kishte futur në rendin e ditës një pikë të shënuar si konfidenciale, e më pas u zbulua se bëhej fjalë pikërisht për nismën për ndalimin e hyrjes Dodikut dhe anëtarëve të familjes së tij, si dhe kryeministrit izraelit Netanyahu. Materiali është përgatitur nga Ministria që drejtohet nga Tanja Fajon dhe në seancë ka ardhur me mbështetjen e kryeministrit Robert Golob.

Arsyet për sanksione kundër Dodikut

Sipas informacioneve jozyrtare, ekzistojnë disa arsye pse Sllovenia mund të vendosë ndalim-hyrje për Dodikun. Para së gjithash, Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e ka dënuar ish-presidentin e Republikës Srpska me një vit burg dhe ndalim gjashtëvjeçar për të ushtruar funksione politike për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë.

Arsyeja e dytë lidhet me mbështetjen që Sllovenia i jep ruajtjes së Bosnjës së Dejtonit dhe kundërshtimin ndaj tendencave separatiste që vijnë nga Banja Luka. Ministrja e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon, më herët kishte deklaruar se veprimet e Dodikut bllokojnë seriozisht rrugën evropiane të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Arsyeja e tretë ka të bëjë me dyshimet se Dodiku dhe familja e tij zotërojnë pasuri të konsiderueshme në Slloveni, veçanërisht në bregdetin slloven. Bëhet fjalë për prona luksoze të regjistruara në emër të miqve dhe të afërmve të Dodikut, por mediat sllovene pretendojnë se pronarët e vërtetë janë anëtarët e familjes së tij. Ndër to përmendet një vilë në Portorož, që formalisht është në pronësi të Đorđe Đurić, kumbar dhe bashkëpunëtor i ngushtë i djalit të Dodikut, Igor Dodik. Si Đurić, ashtu edhe Igor Dodik ndodhen në listën e sanksioneve amerikane.

Sipas të njëjtave burime, familja Dodik lidhet edhe me një apartament në rezidencën “Park Lucija”, i cili figuron në pronësi të kompanisë sllovene RSB Plus, e një familjeje me origjinë nga Republika Srpska. Sipas disa pretendimeve, familja Dodik zotëron të paktën pesë prona në bregdet.

Presione dhe vonesa

Sllovenia prej muajsh po shqyrton sanksione ndaj Dodikut, por ndërkohë është paraprirë nga shtete të tjera. Kundër tij dhe bashkëpunëtorëve të tij tashmë kanë vendosur sanksione Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Austria, Polonia dhe Lituania.

Deri tani, autoritetet sllovene kanë pohuar se vendi nuk ka ndërmarrë kurrë masa kufizuese kombëtare të pavarura ndaj individëve apo shteteve dhe se çdo vendim eventual do të varej nga “një vendim i ri gjyqësor”. Pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së BiH, MZEZ u është përgjigjur vetëm gazetarëve se Sllovenia po ndjek situatën dhe pret respektimin e vendimeve të gjykatës, por se diskutime shtesë do të zhvillohen brenda Bashkimit Evropian dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Disa media në BiH theksojnë se në hezitimin slloven rol ka edhe kryetari i bashkisë së Ljubljanës, Zoran Janković, i cili mban marrëdhënie të ngushta me Dodikun dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Megjithatë, Ministria e Jashtme e Sllovenisë i ka mohuar këto pretendime, duke theksuar se vendimi duhet të mbështetet politikisht nga vetë kryeministri Robert Golob.

 

Kategoritë
LajmeRajoni