Memorandumi përcakton një kornizë formale për dialog sistematik, konsultime të rregullta politike dhe bashkëpunim praktik midis dy qeverive, shpjeguan zyrtarët
Sllovenia dhe Palestina kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për të forcuar dialogun politik dhe bashkëpunimin, me ministren e Jashtme sllovene, Tanja Fajon, që riafirmoi mbështetjen e fortë të vendit të saj për shtetësinë palestineze dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, raporton Anadolu.
Kryediplomatja palestineze, Varsen Agabekyan Shahin, po viziton kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë, me ftesë të Fajon, ndërsa tensionet në territoret e pushtuara palestineze vazhdojnë të përshkallëzohen për shkak të agresionit izraelit.
Memorandumi përcakton një kornizë formale për dialog sistematik, konsultime të rregullta politike dhe bashkëpunim praktik midis dy qeverive, shpjeguan zyrtarët.
“Ramë dakord që autoritetet palestineze janë të vetmet përfaqësuese legjitime që duhet të udhëheqin dhe qeverisin Gazën. Sllovenia është e gatshme të ndihmojë Palestinën edhe në fushën e administratës shtetërore. Në Gaza, armët duhet të zëvendësohen nga paqja”, tha Fajon pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit.
Ajo theksoi se Sllovenia mbetet një nga mbështetëset më të zjarrta të shtetësisë palestineze në Bashkimin Evropian (BE) dhe në nivel global, përfshirë Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Kemi nevojë për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm, lirimin e të gjithë pengjeve, dërgimin e shpejtë dhe të sigurt të ndihmës humanitare në Gaza dhe forcimin e përpjekjeve drejt realizimit të një zgjidhjeje me dy shtete”, tha ajo.
Sipas agjencisë së lajmeve STA të Sllovenisë, Shahin do të takohet gjithashtu me udhëheqjen më të gjerë politike të vendit gjatë vizitës së saj, me bisedime që pritet të përqendrohen në zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
Sllovenia, ndër mbështetëset më të zëshme të të drejtave palestineze në BE, në muajt e fundit ka dënuar vazhdimisht veprimet izraelite në Gaza.