Komuniteti slloven në qytetin bregdetar italian Muggia, pranë kufirit me Slloveninë, ka shprehur shqetësim për shkak të paralajmërimeve të lëvizjes neonaziste Forza Nuova, aktivistët e së cilës planifikojnë të shndërrojnë rrugët e këtij qyteti në hapësirë për të ashtuquajturat “patrulla të sigurisë”.
Sipas gazetës sllovene Primorski dnevnik, anëtarët e Forza Nuova pretendojnë se duan të “vendosin rendin” pas një serie incidentesh në të cilat, sipas mediave lokale, kanë marrë pjesë të huaj.
Në njërin prej rasteve të fundit, raporton portali Trieste Prima, një grup prej pesëmbëdhjetë të rinjsh me prejardhje të huaj dyshohet se ka sulmuar një 22-vjeçar vendas, çka ka shkaktuar zemërim të madh të opinionit publik. Megjithatë, janë regjistruar edhe raste kur italianë të rritur kanë sulmuar fizikisht të rinjtë e huaj.
Në deklaratën e saj, Forza Nuova kritikon qeverinë italiane të djathtë, duke e akuzuar për “hipokrizi dhe mosveprim”. Ata pretendojnë se autoritetet, ndërsa në rrjete sociale dënojnë incidentet, njëkohësisht “legalizojnë statusin e gjysmë milioni migrantëve dhe nxisin pranimin e tyre”.
Sipas retorikës së tyre, pasojat e kësaj politike shihen çdo ditë “tek të rinjtë e gjeneratës së dytë e të tretë, përmes dhunës dhe refuzimit të integrimit”. Lëvizja gjithashtu u bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme.
Këto plane kanë shqetësuar komunitetin lokal slloven. Kryetarja e shoqatës Kiljan Ferluga, Fiorella Benčič, paralajmëroi se organizimi i “sulmeve ndëshkuese” nga grupe ekstremiste përbën një largim serioz nga vlerat demokratike dhe bart pasoja potencialisht të rrezikshme.
Forza Nuova u themelua në vitin 1997 dhe që atëherë promovon një ideologji radikalisht nacionaliste, kundërshton imigracionin dhe multikulturalizmin, dhe njihet për provokime të dhunshme. Edhe pse është një forcë politike margjinale, aktivitetet e saj shpesh shkaktojnë reagime të ashpra të opinionit italian dhe dënimin e shumicës së partive politike.