Takimi i liderëve evropianë, presidentit të Ukrainës dhe Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë ishte nën vëzhgimin e madh të mediave, dhe edhe kësaj here për momente që do të përfliten për ditë të tëra u kujdes presidenti amerikan.
Në fillim të takimit, mediat patën mundësinë të regjistronin hapjen e mbledhjes ku, edhe një herë, në qendër të vëmendjes ishte Donald Trump. Presidenti amerikan filloi t’i prezantonte një nga një liderët evropianë, duke i shoqëruar me disa fjalë lavdëruese secilin.
Megjithatë, kur erdhi radha të prezantonte presidentin e Finlandës, Alexander Stubb, Trump bëri një gafë.
Gjatë prezantimit, Trump e lavdëroi Stubbin dhe politikat e tij, por në momentin kur po fliste, nuk e dinte se ku ndodhej presidenti finlandez. Ky moment shihet në minutën 5:40 të videos.
“Ky është dikush që është… ku është ai?”, tha Trump.
Që momenti të bëhej edhe më bizar, Stubb ndodhej menjëherë përballë Trumpit.
“Jam këtu, zoti president”, iu përgjigj Stubb.
Megjithatë, Trump nuk u tregua i shqetësuar dhe e vazhdoi fjalën e tij:
“Dukeni më mirë se kurrë më parë. Keni bërë një punë të shkëlqyer dhe jam i lumtur që jeni këtu. Faleminderit që erdhët,” tha Trump.
Ndërkohë, presidenti amerikan tha se takimi me liderët evropianë shkoi mirë dhe se menjëherë pas tij telefonoi presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar hapat e mëtejshëm në kontekstin e përfundimit të luftës në Ukrainë.