Ndërkohë që protestat vazhdojnë mbrëmjen e sotme në të gjithë Francën, publiku në këtë vend, por edhe më gjerë, është tronditur nga skenat ku një makinë e djegur është shtyrë mbi shtëpinë e kryebashkiakut të një periferie të Parisit.
Njeriu i parë i L’Hay-les-Roses Vincent Jeanbrun raportoi në polici incidentin e ndodhur gjatë natës së kaluar, i cili u shënua nga përplasjet e shumta mes demonstruesve dhe policisë.
Gjegjësisht, protestuesit i kanë vënë flakën një veture që ndodhej afër shtëpisë së kryetarit dhe më pas e kanë shtyrë drejt shtëpisë së familjes.
Në incidentin, i cili u cilësua si një atentat, u plagos gruaja e Jeanbrun dhe një nga fëmijët.
“Prokurorja e qarkut hapi hetimet për tentativën e vrasjes, duke thënë se nga hetimet paraprake rezultoi se protestuesit synonin që makina e djegur të depërtonte në shtëpi dhe t’i vunë zjarrin pjesës së brendshme të saj. Në makinë u gjet edhe një shishe me lëng, e cila supozohej të kontribuonte më tej në zjarrin ‘më të fortë’”, sipas mediave franceze.
Në momentin që ndodhi gjithçka, gruaja dhe dy fëmijët e kryebashkiakut ishin duke fjetur.
Gruaja e tij ka thyer këmbën gjatë arratisjes dhe është lënduar edhe fëmija teksa po iknin nga shtëpia përmes daljes së pasme”, thuhet.
Gjatë këtij incidenti të tmerrshëm, kryebashkiaku nuk ishte në shtëpi dhe ndodhej në bashkinë.
“Është arritur një pikë kthese në tmerr dhe turp. Shtëpia ime është sulmuar dhe familja ime ka qenë viktimë e një atentati. Vendosmëria ime për t’i shërbyer Republikës është më e fortë se kurrë,” tha Jeanbrun.
Sulmi në shtëpinë e zyrtarit francez u dënua nga shumë politikanë dhe kryeministrja e vendit, Elisabeth Borne, i ofroi mbështetjen e saj të plotë kryebashkiakut dhe familjes së tij.

