Skandal në Çeki: Kandidatja për parlament i kërcënoi ish-bashkëshortit se do t’i vriste qenin

Margita Balaštíková, deputete e Republikës Çeke dhe kandidate për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, është hequr nga lista zgjedhore pasi doli në pah se i kishte kërcënuar ish-burrit se do t’ia vriste qenin.

Sipas incizimeve të publikuara nga portali Seznam Zprávy, Balaštíková kishte kërcënuar se do t’i përdorte lidhjet e saj politike për të shkatërruar kompaninë e tij dhe madje do të angazhonte dikë për t’ia vrarë qenin.

Ajo e mohoi akuzën për mediat çeke, duke thënë se incizimi ishte i “manipuluar”, por partia e saj ANO 2011 reagoi menjëherë duke e hequr nga lista për parlament.

Në një vend ku qentë janë jashtëzakonisht të popullarizuar – madje 42 për qind e amvisërive kanë qen – Balaštíková i shkaktoi telashe të mëdha liderit të partisë së saj, Andrej Babiš.

Si reagim ndaj skandalit, Babiš nisi një fushatë të ashtuquajtur “kontroll dëmi”, duke organizuar disa aktivitete me qen për t’u distancuar nga rasti.

Vetëm pak ditë pas shpërthimit të skandalit, të premten ai mblodhi disa përkrahës – disa prej të cilëve sollën edhe qentë e tyre – për një ngjitje në malin Lysá hora, maja më e lartë e Beskidëve Moravo-Silezianë në lindje të Çekisë.

Fotografitë dhe pamjet nga kjo ngjitje më pas e mbushën faqen e tij në Facebook.

Në një takim tjetër parazgjedhor në Kolín, Babiš shihej duke ledhatuar një qen; në një postim të veçantë u publikua një fotografi ku një qen pinte ujë nga një enë e vendosur mbi një poster elektoral të ANO-s ku shkruhej: “Freskohu me Betynën.”

Betyna është qeni i zëvendëskryetarit të ANO-s dhe njeriut të besuar të Babišit, Karel Havlíček, i cili e cilësoi skandalin të papranueshëm dhe tha se e prekte edhe më shumë për faktin që ai është “një dashamirës i madh i qenve.”

Partia Demokratike Qytetare (ODS), e udhëhequr nga kryeministri aktual Petr Fiala dhe pjesë e koalicionit Spolu, e shfrytëzoi këtë skandal për ta sulmuar Babišin dhe partinë e tij.

A do të jenë të sigurtë qentë tuaj nëse ANO vjen në pushtet?” – pyeti ODS në një postim thumbues në rrjete sociale.

Kategoritë
BotaLajme