Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se do të takohet me kreun rus Vladimir Putin, megjithëse vetëm disa orë më parë zëdhënësja e tij kishte thënë se një takim i tillë nuk do të ndodhte pa praninë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski.
Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, për ABC News deklaroi se Trump dëshironte një takim trilateral dhe se nuk do të takohej vetëm me Putinin.
Megjithatë, më vonë Trump e përgënjeshtroi zëdhënësen e tij, duke thënë se Zelenski “nuk ka nevojë të marrë pjesë” në takim me Putinin.
“Ata duan të takohen me mua, unë dua të ndaloj vrasjet,” tha Trump.
Pas kësaj, Leavitt “u ngut” të korrigjonte deklaratën e mëparshme:
“Ruset kanë shprehur dëshirë të takohen me Presidentin Trump, dhe Presidenti është i hapur për këtë takim. Presidenti Trump dëshiron të takohet si me Presidentin Putin, ashtu edhe me Presidentin Zelenski, sepse dëshiron që kjo luftë brutale të përfundojë. Shtëpia e Bardhë po punon aktualisht për detajet e takimeve të mundshme dhe informacionet do të publikohen në kohën e duhur.”
Ende nuk dihet se çfarë ndikimi do të kenë këto takime të mundshme mbi afatin e Trumpit deri të premten për sanksione shtesë ndaj vendeve që blejnë energji ruse. Presidenti amerikan ka kërcënuar se do të marrë masa ndëshkimore ndaj Moskës nëse Putin nuk bën hapa drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
I pyetur nëse afati i së premtes për një armëpushim mbetet në fuqi, Trump u përgjigj se “varet prej tij” dhe se do të “shihte se çfarë ka për të thënë”.
Për kujtesë, të enjten Kremlini njoftoi se është zgjedhur vendi për takimin dhe se do ta bëjë publik brenda disa ditëve. Takimi pritet të mbahet javën e ardhshme.