Irani ka marrë sisteme kineze kundër-ajrore me raketa (SAM) ndërsa Teherani po punon me shpejtësi për të rimëkëmbur mbrojtjen e tij të shkatërruar gjatë konfliktit 12-ditor me Izraelin, thanë burime për Middle East Eye.
Dorëzimet e sistemeve kineze SAM u realizuan pasi më 24 qershor u arrit një lloj armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit, tha një zyrtar arab me njohuri të informacionit të inteligjencës.
Një tjetër zyrtar arab, që foli në kushtet e anonimatit për shkak të ndjeshmërisë së informacioneve, tha se aleatët arabë të SHBA-së janë të vetëdijshëm për përpjekjet iraniane për të “forcuar dhe siguruar” mbrojtjen e tyre ajrore, dhe se Shtëpia e Bardhë është informuar për përparimin e Iranit në këtë drejtim.
Zyrtarët nuk specifikuan sasinë e sistemeve që Irani ka marrë nga Kina pas përfundimit të betejave. Megjithatë, njëri prej burimeve tha se Irani po i paguan këto sisteme me naftë. Kina është importuesi më i madh i naftës iraniane, dhe Administrata e Informacionit Energjitik të SHBA-së (EIA) raportoi në maj se thuajse 90% e eksporteve të naftës bruto dhe kondensatit iranian shkojnë drejt Pekinit.
Për vite me radhë, Kina ka importuar sasi rekord të naftës iraniane pavarësisht sanksioneve amerikane, duke përdorur vende si Malajzia si pika tranziti për të fshehur origjinën e ngarkesave.
“Iranianët përdorin metoda krijuese të tregtisë,” tha një zyrtar tjetër arab për MEE.
Pritet që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan Donald Trump të bisedojnë të hënën rreth Iranit dhe programit të tij bërthamor. MEE kontaktoi Shtëpinë e Bardhë për një koment, por deri në publikim nuk pati një përgjigje.
Thellimi i marrëdhënieve
Këto dërgesa shënojnë thellimin e marrëdhënieve mes Pekinit dhe Teheranit, në një kohë kur disa në Perëndim kanë vërejtur se Kina dhe Rusia u janë shmangur disi Iranit gjatë sulmeve të paprecedentë izraelite.
Gjatë konfliktit, Izraeli arriti dominim ajror mbi hapësirën ajrore iraniane, duke shkatërruar platforma lëshimi balistik dhe duke ekzekutuar atentate kundër gjeneralëve dhe shkencëtarëve iranianë. Megjithatë, qeveria iraniane i mbijetoi sulmeve dhe vazhdoi të lëshojë raketa balistike kundër Izraelit, duke shkatërruar objekte të ndjeshme në Tel Aviv dhe Haifa përpara arritjes së armëpushimit.
Në fund të viteve 1980, Irani mori raketa krosonjë HY-2 “Silkworm” nga Kina, përmes Koresë së Veriut, dhe i përdori ato për sulme ndaj Kuvajtit dhe një sulmi mbi një naftëtar amerikan gjatë “luftërave të tankerëve”.
Në vitin 2010 u raportua se Irani kishte marrë raketa kundër-ajrore kineze HQ-9. Mendohet se Irani përdor sistemin rus S-300—i aftë të rrëzojë avionë dhe dronë dhe të ofrojë mbrojtje kundër raketave krosonjë dhe balistike—së bashku me sisteme kineze më të vjetra dhe sisteme vendase si seria Khordad dhe Bavar-373.
Këto sisteme kanë kapacitet të kufizuar për të rrëzuar avionë F-35 me teknologji stealth, të cilët përdorë ushtria izraelite.
Kina tashmë shet sistemet HQ-9 dhe HQ-16 të mbrojtjes ajrore për Pakistanin, dhe raportohet se edhe Egjipti ka në zotërim sistemin HQ-9.