Sipas Kombeve të Bashkuara, Izraeli ka refuzuar 11 nga 18 kërkesat për ndihmë humanitare në Gazë

Sipas një deklarate të Kombeve të Bashkuara (OKB), autoritetet izraelite kanë refuzuar 11 nga 18 kërkesat për koordinimin e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.

Ndër kërkesat e refuzuara ishin bllokimi i transportit të ujit të pijshëm, shpërndarja e karburantit, riparimi i rrugëve, dhe shërbime të tjera thelbësore.

“Autoritetet izraelite vazhdojnë t’u mohojnë shumë organizatave humanitare brenda Gazës mundësinë për të ofruar edhe ato shërbime të kufizuara që janë ende të mundshme për popullatën,” deklaroi zëdhënësi i OKB-së Farhan Haq.

Duke iu referuar Zyrës për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Haq paralajmëroi se më shumë se dy milionë njerëz në Gazë janë pa qasje në nevojat bazë, në mes të operacioneve të vazhdueshme ushtarake izraelite.

“Në veri të Gazës, operacionet ushtarake izraelite janë intensifikuar në ditët e fundit dhe raportohet për viktima masive. Njerëz të uritur dhe të zhvendosur janë vrarë teksa përpiqeshin të merrnin ushqim në qendrat e shpërndarjes,” shtoi ai.

Që nga 27 maji, Izraeli ka nisur një inisiativë të re për ndihmë në Gazë, përmes të ashtuquajturës “Fondacioni për Ndihmën në Gazë”, i cili mbështetet nga SHBA dhe Izraeli, duke anashkaluar OKB-në.

Sipas vlerësimeve, për të përmbushur nevojat themelore të popullsisë në Rripin e Gazës, janë të nevojshme të paktën 500 kamionë me ndihma humanitare në ditë.

Kategoritë
BotaLajme