Simbolikë përballjeje me Assad-in përmes kartëmonedhave: Siria heq dy zero dhe ndryshon fytyrën e valutës së saj

Siria do të lëshojë kartëmonedha të reja duke hequr dy zero nga valuta e saj, në përpjekje për të rikthyer besimin e publikut tek funta e zhvlerësuar rëndë, raporton Reuters, duke cituar shtatë burime të njohura me çështjen dhe dokumente që kanë parë.

Ky hap synon forcimin e funtës siriane pas rënies së fuqisë blerëse në nivelet më të ulëta rekorde, si pasojë e luftës 14-vjeçare që përfundoi me rrëzimin e presidentit Bashar al-Assad në dhjetor.

Funta siriane ka humbur mbi 99 për qind të vlerës që nga fillimi i luftës në vitin 2011. Kursi aktual është rreth 10.000 funta për një dollar amerikan, krahasuar me 50 para luftës.

Pse ndryshimi?

Rënia e shpejtë ka bërë që transaksionet e përditshme të bëhen pothuajse të pamundura. Familjet zakonisht paguajnë blerjet javore me qese plastike të zeza të mbushura me të paktën gjysmë kilogrami kartëmonedha prej 5.000 funtash – nominali më i madh aktualisht.

Për të lehtësuar transaksionet dhe për të përmirësuar stabilitetin monetar, Banka Qendrore e Sirisë i ka njoftuar bankat private në mesin e gushtit se do të emetojë valutë të re duke hequr dy zero.

Burime të Reuters nga bankat komerciale dhe Banka Qendrore kanë konfirmuar se vendimi është marrë, megjithëse nuk është bërë ende publik.

Përmasat politike

Ky hap ka edhe një peshë simbolike, pasi shënon ndarjen e qartë nga mbi pesë dekada sundim i Assadëve. Fytyra e Bashar al-Assad ndodhet në kartëmonedhën lejla të 2.000 funtave, ndërsa ajo e babait të tij, Hafez, në kartëmonedhën e gjelbër të 1.000 funtave.

Autoritetet planifikojnë një fushatë informuese përpara lëshimit formal të kartëmonedhave të reja më 8 dhjetor – në përvjetorin e parë të rrëzimit të Assad-it.

Dimensionet praktike

  • Bankat janë urdhëruar të jenë gati për zëvendësimin deri në mes të tetorit.
  • Një periudhë 12-mujore e “koegzistencës” do të lejojë qarkullimin paralel të kartëmonedhave të vjetra dhe të reja deri më 8 dhjetor 2026.
  • Siria ka arritur marrëveshje me kompaninë shtetërore ruse Goznak për shtypjen e valutës së re.

Sfidat që mbeten

Ekonomistët paralajmërojnë se reforma mund të ngatërrojë konsumatorët, sidomos të moshuarit, si dhe të shkaktojë kosto shumë të larta – deri në qindra miliona dollarë. Si alternativë, mund të ishin futur nominale më të larta (20.000 ose 50.000 funta), pa kaluar në një reformë kaq të shtrenjtë.

Karam Shaar, ekonomist sirian dhe këshilltar i OKB-së, theksoi se ndryshimi i kartëmonedhave me fytyrën e Assad-it është i domosdoshëm politikisht, por mbetet i paqartë rregullimi ligjor dhe mënyra e zbatimit në një shtet me kontroll territorial të fragmentuar.

 

Kategoritë
BotaLajme