Kanada po shqyrton blerjen e dronëve ushtarakë turq për qëllime mbikëqyrjeje, shtatë vjet pasi kishte vendosur ndalimin e eksportit të pjesëve për këto sisteme për shkak të operacionit ushtarak turk në Siri.
Kur Otava në vitin 2019 ndaloi shitjen e armëve për Turqinë për shkak të ndërhyrjes ushtarake të Ankarasë në Siri, ndër kompanitë më të prekura ishin Baykar dhe Turkish Aerospace Industries. Këto kompani në atë kohë përdornin kamera elektro-optike dhe infra të kuqe të prodhuesit kanadez Wescam, ndaj embargoja i detyroi të kërkonin furnizues alternativë, përfshirë kompani vendore.
Tani situata po ndryshon. Sipas një zyrtari të njohur me bisedimet, Kanadaja është e interesuar për blerjen e dronëve të lartësisë së mesme me kohëzgjatje të gjatë fluturimi për nevoja mbikëqyrjeje. I njëjti burim thekson se bisedimet janë ende në fazë të hershme dhe nuk është e sigurt nëse do të përfundojnë me marrëveshje, por ndryshimi i qasjes në Otava nën kryeministrin Mark Carney është i dukshëm.
Sekretari kanadez për prokurimet e mbrojtjes, Stephen Fuhr, javën e kaluar në Stamboll deklaroi se vendi i tij është i gatshëm për bashkëpunim më të ngushtë me Turqinë në fushat ku Ankaraja ka kapacitete të theksuara në industrinë e mbrojtjes. Në një intervistë të veçantë për Defense News ai veçoi prodhimin e municioneve, dronët dhe sistemet kundër dronëve si fushat kryesore të bashkëpunimit të mundshëm.
Fuhr shtoi se bashkëpunimi i ardhshëm nuk duhet të nënkuptojë vetëm blerje të gatshme, por edhe zhvillim të përbashkët.
“Nuk duam të mbështetemi më në armët amerikane; duam diversifikim”, tha ai.
Ai gjithashtu paralajmëroi për ngadalësinë e prokurimeve klasike ushtarake, duke deklaruar: “Në fund përfundoni me diçka të ngadaltë dhe jo relevante.”
Sipas disa zyrtarëve, Carney pritet të vizitojë Turqinë gjatë samitit të NATO-s në Ankara në muajin korrik, ndërsa në tetor është planifikuar edhe një vizitë e veçantë dypalëshe, gjatë së cilës pritet të nisin disa iniciativa të bashkëpunimit në mbrojtje, përfshirë projekte që lidhen me dronët.
Ndërkohë, Kanadaja po investon miliarda për të arritur objektivin e NATO-s për ndarjen e dy për qind të PBB-së për mbrojtje, si dhe planifikon krijimin e një qendre inovative për dronë pranë Këshillit Kombëtar të Kërkimeve me një investim prej 105 milionë dollarësh gjatë tre viteve të ardhshme.










