Shtrenjtimi nuk ndalet, inflacioni në Kosovë arrin në 7.8%

Shtrenjtimi nuk ndalet, inflacioni në Kosovë arrin në 7.8%

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në shtator 2026 është rritur për 7.8 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, inflacioni mujor ishte 0,2 për qind krahasuar me gushtin 2026.

“Në muajin shtator 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 0,2 % krahasuar me muajin gusht 2026. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it:pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (0,9 %), transporti (0,9 %), shërbimet arsimore (0,5 %), sigurime dhe shërbime financiare (0,3 %), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (0,2 %), shëndetësi (0,2 %), restorante dhe shërbime akomodimi (0,2 %), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (0,2 %), informacion dhe komunikim (0,1 %), veshje dhe këpucë (0,1 %) dhe mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (0,1 %)”, thuhet në raport.

Ndërsa, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga transporti, me 23,9 për qind, strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 11,9 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 6,3 për qind.

Rritje u regjistrua edhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5,2 për qind, shëndetësia me 4,5 për qind, si dhe ushqimet dhe pijet joalkoolike me 2,4 për qind.

Në muajin shtator 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 7,8 % krahasuar me muajin shtator 2025.

“Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (23,9 %), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (11,9 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (6,3 %), restorante dhe shërbime akomodimi (5,2 %), shëndetësi (4,5 %), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,8 %), mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (3,5 %), veshje dhe këpucë (3,0 %), ushqime dhe pije joalkoolike (2,4 %), rekreacion, sport dhe kulturë (1,8 %), informacion dhe komunikim (0,7 %) dhe sigurime dhe shërbime financiare (0,3 %)”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërkaq, rënie e çmimeve u shënua vetëm te shërbimet arsimore, me 0,3 për qind.

Në baza mujore, çmimet u rritën më së shumti te transporti dhe pijet alkoolike, duhani e narkotikët, nga 0,9 për qind. Rënie pati te rekreacioni, sporti dhe kultura me 1,8 për qind, si dhe te ushqimet dhe pijet joalkoolike me 0,2 për qind.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi