Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj raportueses së OKB-së, Francesca Albanese, sepse ajo kërkoi ndjekjen penale të Netanyahu-së

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, njoftoi se do të vendosë sanksione ndaj Francesca Paoli Albanese, Raportoreshës Speciale të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në lidhje me situatën në territoret e pushtuara palestineze.

Në një deklaratë, të publikuar në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit, thuhet se vendimi bazohet në urdhrin ekzekutiv të presidentit Donald Trump, “Vendosja e sanksioneve ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale”.

Rubio theksoi se Albanese ka bashkëpunuar drejtpërdrejt me Gjykatën Ndërkombëtare Penale në përpjekjet për të hetuar, arrestuar, paraqitur para drejtësisë ose ndjekur penalisht qytetarë të SHBA-së ose Izraelit pa pëlqimin e këtyre dy vendeve.

Ai kujtoi se Shtetet e Bashkuara kanë dënuar dhe kundërshtuar në disa raste aktivitetet “të njëanshme dhe të dëmshme” të Albanese, të cilat, sipas tyre, e kanë bërë atë të papërshtatshme për detyrën e Raportueses Speciale.

“Albanese ka shprehur antisemitizëm të hershëm, mbështetje për terrorizmin dhe përbuzje të hapur ndaj Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Perëndimit. Kjo njëanshmëri ka qenë e dukshme gjatë gjithë karrierës së saj, përfshirë rekomandimin që Gjykata Ndërkombëtare Penale, pa bazë të ligjshme, të lëshojë urdhra arresti për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant”, thuhet në deklaratë.

Në të theksohet se së fundmi Albanese ka intensifikuar përpjekjet duke shkruar “letra kërcënuese” drejtuar dhjetëra subjekteve anembanë botës, përfshirë kompani të mëdha amerikane në sektorët e financave, teknologjisë, mbrojtjes, energjetikës dhe turizmit, ku ajo ka ngritur akuza ekstreme dhe të pabazuara dhe ka sugjeruar që Gjykata Ndërkombëtare Penale të vijojë hetimet dhe ndjekjen penale kundër këtyre kompanive dhe drejtuesve të tyre.

“Ne nuk do të tolerojmë fushata të tilla luftërash politike dhe ekonomike që kërcënojnë interesat tona kombëtare dhe sovranitetin. SHBA do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’u përgjigjur ndaj përdorimit të ligjit si armë, për të verifikuar dhe ndaluar shkeljet e paligjshme dhe abuzimet e mundshme të fuqisë së Gjykatës Ndërkombëtare Penale, dhe për të mbrojtur sovranitetin tonë dhe të aleatëve tanë”, përfundon deklarata.

Kategoritë
BotaLajme