Şuayb Ordu, i ndaluar nga forcat izraelite në bordin e anijes Madleen që shkonte në Gaza, pritet të lirohet dhe të largohet nga Izraeli të enjten, sipas burimeve diplomatike turke.
Shtetasi turk i ndaluar nga forcat izraelite në bordin e anijes humanitare me destinacion Gazën pritet të lirohet dhe të largohet nga Izraeli të enjten, sipas burimeve diplomatike turke, transmeton Anadolu.
Burimet thanë sot se zyrtarët nga Ambasada e Turqisë në Tel Aviv mbeten në kontakt me aktivistin Şuayb Ordu dhe avokatët e tij.
Burimet gjithashtu thanë se rasti i Yasemin Acar, shtetase gjermane, po ndiqet nga afër dhe se familjet Acar dhe Ordu po mbahen të informuara rreth procesit.
Anija humanitare Madleen u ndalua nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare ndërsa po lundronte për në Gaza në një përpjekje për të thyer bllokadën detare izraelite ndaj enklavës, ku mbi 55.000 njerëz janë vrarë nga sulmet vdekjeprurëse që nga tetori i vitit 2023.
Si pjesë e Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, anija kishte një ekuipazh prej 12 personash në bord, përfshirë aktivisten suedeze të klimës Greta Thunberg.