– Lidhur me Gazën, Trump beson se konflikti ka vazhduar “shumë gjatë” dhe është bërë “mjaft brutal” ditët e fundit, tha zëdhënësja Karoline Leavitt.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u “kap në befasi” nga bombardimet e Izraelit në Siri dhe sulmi ndaj kishës katolike në Gaza, duke shkaktuar thirrje drejtuar kryeministrit Benjamin Netanyahu për të adresuar të dyja situatat, tha Shtëpia e Bardhë, raporton Anadolu.
“Presidenti u kap në befasi nga bombardimet në Siri dhe gjithashtu nga bombardimi ndaj kishës katolike në Gaza”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
“Në të dyja rastet, presidenti e telefonoi shpejt kryeministrin për të rregulluar këto situata”, shtoi ajo.
Lidhur me Gazën, Trump beson se konflikti ka vazhduar “shumë gjatë” dhe është bërë “mjaft brutal” ditët e fundit, tha Leavitt.
“Atij nuk i pëlqen kurrë ta shohë këtë”, tha Leavitt, duke iu referuar raportimeve për rritjen e numrit të të vdekurve në Gaza për shkak të sulmeve izraelite.
“Ai dëshiron që vrasjet të marrin fund. Dëshiron të negociojë një armëpushim në këtë rajon dhe dëshiron t’i shohë të gjithë pengjet e liruar nga Gaza”, shtoi ajo.