Me shtatë vjet burgim është dënuar E.M. i cili në qershor të vitit 2021 në rrugën Ferizaj-Shtime pati shkaktuar një aksident në të cilin patën humbur jetën pesë persona.
Siç ka njoftuar Gjykata Themelore në Ferizaj, i pandehuri u dënua për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”. Në dënim do t’i llogaritet edhe periudha e kaluar në paraburgim. Atij po ashtu i është marrë leja e vozitjes dhe i ndalohet marrja e lejes së re për katër vjet.
Sipas njoftimit të Themelores, E.M. më 6 qershor 2021 në rrugën Ferizaj – Shtime, ka dalë nga shiriti i tij duke goditur me veturën e tij veturën që vinte nga kahja e kundërt. Në vendin e ngjarjes patën vdekur viktimat N.R., Xh.R., S.R., dhe një i mitur. Ndërkaq viktima I.R. pati vdekur në QKUK.
Në aksident lëndime patën marrë edhe pasagjerët në veturën e E.M.