Shoferët përshkruajnë bllokadën e Gazës: Nga 200 kamionë ndihme, Izraeli lejon hyrjen vetëm për 20, pajisjet mjekësore nuk lejohen

Prej gati dy vitesh, shoferët egjiptianë të kamionëve përpiqen çdo ditë të dërgojnë ndihma për palestinezët në Gaza përmes pikës kufitare Rafah, e vetmja që nuk është nën kontrollin izraelit. Por pritjet e gjata, refuzimet dhe kushtet e rënda në kufi e vështirësojnë shumë punën e tyre.

Shoferët kalojnë javë të tëra të parkuar pranë kufirit egjiptian duke pritur miratimin e autoriteteve izraelite për transportimin e ndihmave drejt Gazës. Pas miratimit, ata përballen me inspektime të gjata nga të dyja palët, një proces që shpesh zgjat rreth 18 orë, sipas punonjësve humanitarë egjiptianë.

Pasi marrin lejen nga pala egjiptiane, kamionët dërgohen në një zonë të posaçme për inspektim nga ushtria izraelite në pikën kufitare Kerem Shalom, ku ngarkesat – të miratuara paraprakisht nga ushtria izraelite – skanohen me rreze X dhe kontrollohen përsëri.

Shoferët: “Na kthejnë pa arsye, ndihmat refuzohen”

Medhat Mohamed, shofer kamioni që transporton ushqime si reçel, mjaltë, fasule dhe hummus, tha se ushtria izraelite i kërkoi dje të kthehej pas dy javësh pritjeje në kufi.
“Na pyesin: ‘Pse keni kaq shumë ushqime? Për kë janë këto?’ Ose ndonjëherë marrim një përgjigje të thjeshtë: ‘Koha ka mbaruar’,” tha ai.

Disa shoferë kalojnë javë të tëra pa parë familjet e tyre dhe thonë se humbin punë fitimprurëse në pjesë të tjera të Egjiptit.
“Ovde këtu jemi gati një javë. Një herë kaluam te pika izraelite e inspektimit dhe na kthyen pa arsye. Nga 150-200 kamionë, vetëm 15-20 pranohen. Pjesa tjetër refuzohet,” tha Mohamed al-Shaer.

Mahmoud al-Sheikh, një tjetër shofer, e përshkroi procesin si “poshtërues” si për shoferët ashtu edhe për palestinezët që kanë nevojë urgjente për ndihma.

“Paga është e ulët, vetëm 13 dollarë në ditë, por ne duhet të blejmë ujë për të pirë e për t’u larë, akull për të ruajtur ushqimin dhe ushqime të shtrenjta për gatim. Ajo që mbetet nuk mjafton për fëmijët tanë. E bëjmë këtë sepse njerëzit në Gaza po vdesin urie,” tha ai.

Ndihmat refuzohen pavarësisht miratimeve

Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty tha për CNN se 5.000 kamionë ndihme po presin në anën egjiptiane të kufirit për të hyrë në Gaza. Ndërkohë, COGAT, organi ushtarak izraelit që mbikëqyr qasjen në Gaza, deklaroi se “nuk pengon hyrjen e kamionëve nga Egjipti dhe se lehtëson kalimin e tyre pa kufizime sasiore.”

Por Amal Emam, drejtuesja e Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane, tha se organizatat humanitare po përmbushin të gjitha kushtet që vendos COGAT, megjithatë shumë artikuj të miratuar më parë refuzohen.

Ajo i tregoi CNN-it qindra pako ndihmash të bllokuara në një depo pranë kufirit Rafah, ku kishte shtretër për terapi intensive, bombola oksigjeni, panele diellore dhe gjeneratorë.
“Shtretërit për njësinë e kujdesit intensiv janë refuzuar katër herë sepse përmbajnë pjesë metalike,” tha ajo.

Emam theksoi se pakot janë matur sipas standardeve, vendosur në paleta të posaçme, koduar digjitalisht dhe koordinuar me Izraelin përpara se të dërgoheshin për inspektim, por pavarësisht kësaj, shpesh refuzohen pa arsye të qarta.

Kategoritë
BotaLajme