Shkrimtari izraelit David Grossman, në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, foli për luftën e Izraelit në Gaza dhe deklaroi se nuk mund të rezistojë më përdorimit të termit “gjenocid”.
Grossman përmendi gjithashtu se propozimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për njohjen e shtetit palestinez është një ide e mirë:
“Do të ishte e dobishme të kishim të bënim me një shtet të vërtetë, me detyrime të vërteta, dhe jo me një institucion ambivalent si Autoriteti Palestinez.”
Përsa i përket ushtrisë izraelite, Grossman tha:
“Për vite me radhë kam refuzuar të përdor fjalën ‘gjenocid’. Por tani, pasi kam lexuar mediat, kam parë fotografi dhe kam biseduar me njerëz që kanë qenë atje, nuk mund ta rezistoj më.”
Ai e përshkroi si shkatërruese bashkëndijimin e termave “Izrael” dhe “uri” në të njëjtën fjali:
“Duke marrë parasysh historinë tonë, ndjeshmërinë tonë të pretenduar për vuajtjet njerëzore dhe përgjegjësinë morale që kemi shprehur gjithmonë për çdo qenie njerëzore—jo vetëm për hebrenjtë—është e tronditshme të dëgjosh këto dy fjalë së bashku,” tha Grossman, tani 71 vjeç.
Duke iu përgjigjur kritikave se intelektualët izraelitë nuk kanë bërë mjaftueshëm për të ndalur atë që po ndodh në Gaza, ai u shpreh:
“Mendoj se është e padrejtë të sulmosh ata që luftojnë kundër okupimit prej 70 vjetësh dhe kanë shpenzuar pjesën më të madhe të jetës dhe karrierës së tyre në këtë përpjekje. Kur kjo luftë nisi, ishim të dëshpëruar sepse humbëm gjithçka në çfarë besonim dhe gjithçka që dashuronim. Reagimi i vonuar ynë ishte i natyrshëm dhe i kuptueshëm: na duhej kohë për të kuptuar ndjenjat dhe mendimet tona, e më pas për të gjetur fjalët për t’i shprehur.”
Grossman është prej kohësh kritik i qeverisë izraelite. Veprat e tij janë përkthyer në dhjetëra gjuhë, dhe ai ka fituar shumë çmime, përfshirë Çmimin e Paqes së Industrisë letrare gjermane në 2010, Çmimin Ndërkombëtar Man Booker në 2017, dhe Çmimin Heine të qytetit Düsseldorf vitin e kaluar.